Kthehet në punë sekretari i MTI-së që u suspendua për ndërhyrje në tenderë

Kthehet në punë sekretari i MTI-së që u suspendua për ndërhyrje në tenderë

Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Burim Rreci i suspenduar për ndërhyrje në grante e tenderë është rikthyer në punë.

Vendimi për rikthimin e tij e ka marr ushtruesja e detyrës së ministres së Tregtisë, Arbëreshë Krasniqi.

Burim Rrecaj ishte shkarkuar nga pozita e sekretarit të MTI-së me vendimin e ish-ministrit, Bajram Hasani.

Gazeta Insajderi kishte siguruar dokumentin e shkarkimit të sekretarit, i cili dyshohet se ishte përfshirë në ndarjen e granteve dhe dyshohej se ka bërë presion për rekrutimin e stafit civil.

Pikërisht për këtë arsye u raportua se ish-ministri Bajram Hasani, ishte shkarkuar nga posti i të parit të MTI-së

E disa ditë pas shkarkimit të Hasanit, sekretari Burim Rreci është rikthyer në pozitën e sekretarit të MTI-së.

Ky vendim është marrë nga ushtruesja e detyrës së Ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Arbëresha Krasniqi.

“Anulohet vendimi i datës 29.08.2018 për pezullimin e Burim Rreci nga Sekretari i Përgjithshëm i MTI-së. Ai kthehet në pozitën e Sekretarit me të gjitha të drejtat dhe detyrimet sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në vendimin e Krasniqit, që e ka siguruar Kallxo.com

“Duke pasur parasysh procesverbalin për shqyrtimin e ligjshmërisë së procedurave para dhe pas miratimit të vendimit për pezullim, raportin e komisionit për shqyrtimin e ligjshmërisë së procedurave para dhe pas miratimit të vendimit për pezullim, dhe kërkesën për shqyrtim të këtij vendimi, gjeti se vendimi nuk është protokolluar sipas rregullave të protokollit dhe ka pasur shkelje para dhe pas protokollimit të vendimit dhe nuk janë respektuar rregullat e vulosjes dhe ruajtjes së dokumenteve në kabinetin e Ministrit”, thuhet në këtë vendim.

Për këtë vendim, Gazeta Insajderi ka tentuar të marrë një përgjigje nga ushtruesja e detyrës së ministres, por ajo nuk ka pranuar të flas.

Insajderi kishte raportuar edhe më parë për emërimin e Rrecajt në pozitën e sekretarit të përgjithshëm në MTI. Emërimi i tij ishte vlerësuar si i kundërligjshëm nga ambasada britanike. Ambasada thoshte se Rrecaj është emëruar në këtë pozitë pavarësisht se nuk i kishte plotësuar kushtet.

“Rezultati përfundimtar sipas mendimit profesional të Partnerit Zbatues të projektit tonë gjen se vetëm një person kishte përmbushur kriteret për t’u emëruar në këtë pozitë. Kandidatët e tjerë kishin dalë me më pak pikë dhe nuk ishin të nivelit për emërim në këtë pozitë. Në këtë pozitë nuk është emëruar kandidati i vetëm që ka përmbushur kriteret”, kishte vlerësuar Ambasada Britanike në Kosovë. /Insajderi.com