Kthetrat e Besim Beqajt mbi Prokurorinë Largohen Vetëm nga Vetingu

Beqaj ende nuk është shfaqur publikisht, për të folur lidhur me akuzat e ish-prokurorit Elez Blakaj. Është akuzuar se ka bashkëvepruar me kryeprokurorin Lumezi, për të hequr emrin e tij nga aktakuza në rastin “Pronto”. Me gjasë, Beqaj nuk i llogaritë të denjë qytetarët për të dhënë shpjegime publike. Ai trajtohet si i paprekshëm nga miqtë e tij, politikanë e prokurorë.

Kthetrat e Besim Beqajt mbi Prokurorinë Largohen Vetëm nga Vetingu

Takimi im i fundit me ministrin Besim Beqaj ishte para shtatë vitesh. Më 2011. Nuk i lëmë përshtypje të mira njëri-tjetrit.  Ai sapo kishte marrë detyrën e ministrit të Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë Thaçi 2. Unë isha gazetar i ekonomisë në gazetën “Koha Ditore”.

Para këtij takimi kisha raportuar për përfshirjen e tij në ortakëri me biznesmenë të fuqishëm, gjatë kohës sa kishte mbajtur postin e ministrit për Integrime dhe atë të kryetarit të Odës Ekonomike.

Intervista ishte ndërprerë në gjysmë. Nuk i kishte pëlqyer pyetja se pse pikërisht gjatë kohës sa mbante postin e kryetarit të Odës Ekonomike dhe më pas të ministrit për Integrime, kishte arritur të ndërtonte partneritet afarist me një grup multimilionerësh kosovar.

Ai kishte hapur një kompani ndërtimi të ulët dhe të lartë bashkë me multimilionerët Milazim Zeqiraj të MCM Travel, Fatmir Krasniqi e Xhevat Jusufi të korporatës Buçaj dhe Ekrem Llukën e korporatës “Dukagjini”.

Beqaj e kishte vlerësuar pyetjen si tendencioze. Prej asaj kohe, nuk ka pranuar asnjëherë që të intervistohet nga unë.

Nuk i vë faj Beqajt për qasjen që e ka ndaj gazetarëve. Nuk ka dëshirë t’i bëhet asnjë pyetje “tendencioze”.

Duke u trajtuar si i paprekshëm nga miqtë e tij, politikan e prokuror, Beqaj ka filluar të ndihet i tillë. Me gjasë, kjo është gjendje normale emocionale. Faji nuk është i tij. Është i të tjerëve që e trajtojnë si të paprekshëm.

Biznesi, për të cilin atëkohë  i kisha bërë pyetje Beqajt, pas publikimit të skandalit në media nuk kishte vazhduar aktivitetin. Ishte mbyllur.

Megjithatë, Beqaj kishte vazhduar partneritetin afarist me miqtë e tij, në forma tjera.

Njërin prej tyre, Milazim Zeqirajn e MCM Travel,  Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e drejtuar nga Beqaj, e kishte shpallur fitues në tenderin për ofrimin e shërbimeve me aeroplanë. Beqaj, gjatë mandatit të tij, si ministër ka paguar kompaninë e mikut të tij afarist për udhëtimet e tij, jashtë vendit.

Për këtë ishte hetuar nga Agjencia Kundër Korrupsion. Ky institucion planifikonte që ta dërgonte lëndën në prokurori. Asnjë hetim nuk është ndërmarrë më pas nga institucionet e ndjekjes. Dyshoj që Beqaj ka intervenuar për mbylljen e hetimeve.

Ngjashëm siç dyshohet se ka bërë në rastin e ngritjes së aktakuzës për rastin “Pronto”.

E tregova këtë histori të para gati një dekade, për të përshkruar profilin e Beqajt. Ai nuk ka ndryshuar aspak. Trajtohet ende si i paprekshëm dhe e vlerëson vetën si të tillë. Janë mbajtur dy protesta e janë bërë më shumë se një muaj prej se u zbulua një prej skandaleve më të mëdha në sistemin prokuroria. Aty përfshihet edhe Beqaj.

Ai ende nuk ka denjuar që të flasë publikisht për akuzat e ngritura ndaj tij nga ish-prokurori Elez Blakaj.

Ndoshta, kjo në sytë dhe veshët e Beqajt, kur  e lexon këtë rresht,  është një kërkesë tejet naive. Fundja, kush jemi ne qytetarët e thjeshtë që ta bëjë borxhi njeriun e paprekshëm, për të dhënë shpjegime publike lidhur me përmendjen e emrit të tij?

Jam i sigurt që na vlerëson si të parëndësishëm për tu sqaruar para nesh për akuzat e ngritura nga Blakaj. Por, ai e ka obligim që ta bëjë këtë. Kjo është një situatë serioze që duhet ta obligojë “Të paprekshmin”, që të flasë.

Ish-prokurori Blakaj e ka akuzuar Beqajn për ndërhyrje në sistemin prokuroria. Ka pohuar se Beqaj ka ndikuar te kryeprokuroi i shteti Aleksandër Lumezi, që ministri të largohet nga aktakuza e rastit Pronto. Sipas Blakajt, Lumezi i’u bërtiste e i’u ulërinte prokurorëve, duke kërkuar llogari për Beqajn. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Lumezi. Ka pohuar se e ka takuar të akuzuarin, Besim Beqajn. I është dhimbsur Beqaj që është revoltuar në punën jo profesionale të prokurorëve që po e akuzonin.

Në fakt, më shumë se sa dhimbje ajo ishte dridhje nga fuqia e Besim Beqajt.  I njëjti është duke u hetuar edhe për skandalin e KEDS-it, të cilit i’u falen katër hidrocentrale. Gjasat janë që Beqaj të revoltohet edhe ndaj prokurorit të këtij rasti. Do të porosisë një ulërimë për të mbyllur këtë rast.

Kjo fuqi e politikanëve si Beqaj nuk lejon që sistemi prokuroria të jetë i pavarur. Sidomos, shefat aktual të prokurorive që janë të dorëzuar para fuqisë së tyre. Për këtë arsye, duhet një Veting i tërësishëm i sistemit prokuroria. Jo i atillë, siç ka ndodhur më 2011. Ai ishte një vlerësim i dështuar i përformancës së prokurorëve.

Duhet një Veting rigoroz që përjashton prokurorët që janë nën kthetrat e fuqisë së politikanëve si Beqaj dhe të tjerët. Nuk është i mjaftueshëm, vetëm ndërrimi i emrave të shefave të prokurorive.  Kjo duhet të jetë kërkesa e sotshme e protestuesve, të cilët kanë paralajmëruar mbajtjen e saj në ora 18:00.

Protestuesit duhet të kërkojnë Vetingun rigozor dhe largimin e kthetrave të politikanëve si Beqaj në sistemin prokuroria.