Në PDK thonë se sa herë të thërret Amerika, Kosova duhet të përgjigjet pozitivisht. Kjo duhet të mbetet kështu dhe të mos ndryshojë asnjëherë.
Nga Partia Demokratike e Kosovës nuk e kanë asnjë dilemë se Kosova duhet t’i përgjigjet pozitivisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa herë që ekziston një ftesë.
Njëjtë duhet të ndodhë edhe me ftesën e fundit të Richard Grenell, për një takim në Uashington me 27 qershor, ku do të marrë pjesë edhe Serbia.
“Sa i përket ftesës për të vazhduar dialogun në Shtëpinë e Bardhë, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është i njohur dhe është bërë i ditur në vazhdimësi nga kryetari Kadri Veseli. Nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi deri sot. Aty ku janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të jetë Republika e Kosovës dhe institucionet ta përfaqësojnë vendin në mënyrën më të mirë”, ka thënë zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi.
“E kanë për detyrë t’i mbrojnë interesat e vendit dhe nuk duhet t’i ikin përgjegjësisë dhe bashkëpunimit me Amerikën sikurse veproi ish qeveria Kurti”, ka thënë Bytyçi./Insajderi.com