
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet të heqë dorë nga drejtimi i Ministrisë së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, duke ia lënë këtë dikaster partnerit të koalicionit (LDK-së) para funksionalizimit të Gjykatës Speciale.
Për faktin se kjo e fundit këtë vit pritet t’i ngrejë aktakuzat e para ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, pjesë e së cilës kanë qenë shumë zyrtarë të lartë të partisë më të madhe në vend, bëjnë të ditur burimet e gazetës “Zëri”.
Ministri aktual i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, pritet të jetë vetëm zëvendëskryeministër i parë në Qeveri.
“Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, do të tërhiqet nga kjo Ministri, meqë nuk po dëshiron të jetë në krye të këtij dikasteri pasi të funksionalizohet Gjykata Speciale. Dihet se kjo Gjykatë do të ngrejë aktakuza ndaj bashkëpartiakëve të Kuçit, prandaj dëshiron të mos jetë në atë kohë ministër i Drejtësisë”, ka thënë ky burim i gazetës.
Se dëshiron të tërhiqet nga udhëheqja e Ministrisë së Drejtësisë e ka pranuar edhe vetë Hajredin Kuçi.
Madje, për gazetën “Zëri” Kuçi thotë se kërkesën për largim nga udhëheqja e Drejtësisë në Kosovë e ka shprehur qysh në fillim të mandatit me ish- kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, dhe ushtruesin e detyrës së kryetarit aktual të kësaj partie, Kadri Veseli./Zëri