Kuçi: Po hartojmë program për luftën kundër dhunës në familje

Kuçi: Po hartojmë program për luftën kundër dhunës në familje

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e lansimit të doracakut për gjyqtarë dhe prokurorë për trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Në këtë rast, Ministri Kuçi ka thënë se është duke u punuar në një program të ri për luftimin e dhunës në familje.

“Së bashku me një gamë të gjerë aktorësh institucional, jemi duke hartuar një program të ri për luftimin e dhunës në familje. Përpjekjet tona institucionale janë të dobishme në trajtimin e dhunës në familje. Megjithatë, ato janë gjysmake pa mobilizim mbarë qytetar. Si shoqëri e kemi detyrë t’ia krijojmë grave dhe vajzave tona hapësirën e nevojshme që të flasin dhe raportojnë kur ato përjetojnë dhunë”, ka thënë ai.

“Në aspektin ligjor, Kodi Penal i Republikës së Kosovës ka paraparë dënime të ashpërsuara kur veprat penale kryhen ndaj “viktimave të ndjeshme,” që përfshinë partnerin, bashkëshortin, apo fëmijën. Përveç dhunës fizike, Kodi Penal gjithashtu parasheh edhe veprën penale të ngacmimit kur pjesëtarët e familjes përjetojnë dhunë psikike nga një familjar tjetër”, ka shtuar ministri.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Ministri Kuçi ka vlerësuar këtë ceremoni në të cilën po shënohet hartimi i një doracaku sa praktik, aq edhe të nevojshëm për gjyqtarët dhe prokurorët në trajtimin e rasteve të dhunës në familje./Insajderi.com