
Burim Kukeli është zyrtarisht një futbollist I FC Sion. Lajmi që qarkullonte prej ditësh është zyrtarizuar nga vetë klubi zviceran, që në faqen e tij online ka bërë të ditur finalizimin e marrëveshjes me 33 vjecarin, që ishte kërkuar me ngulm nga ish-zv.trajneri i kuqezinjve, Paolo Tramezzani.
Futbollisti ka firmosur një kontratë 2 vjecare me Sionin duke i dhënë fund një aventure pesë vjecare me Zyrihun.
Në faqen e klubit zviceran theksohet se ka qenë vetë Tramezzani që ka kërkuar mbylljen e marrëveshjes pasi e shikon atë si një element shumë të vlefshëm në mesfushë dhe i beson së tepërmi përvojës së 33-vjecarit.
Kukeli ishte një prej lojtarëve më të besuar të De Biasit në kombëtare e rrjedhimisht dhe një zgjedhje e preferuar nga Tramezzani.
Në cv e paraqitur nga klubi zviceran theksohet prania e tij në Euro 2016, dhe 23 ndeshjet me kombëtaren e Shqipërisë, njofton supersport.
Në karrierën e tij Kukeli ka luajtur te Lucernë prej vitit 2008 deri në 2012, ku u transferua te Zyrih, klub me të cilin mundi të fitojë Kupën e Zvicrës duke luajtur dhe në fazën e grupeve të Europa League sezonin e kaluar.