
Burim Kukeli është përzgjedhur në formacionin e vitit 2016 në ligën e dytë zvicerane (Challenge League).
Mesfushori i Zyrihut u votua nga kapitenët dhe trajnerët e 20 ekipeve të ligës së parë dhe të dytë, trajnerët e skuadrave kombëtare si dhe nga dy panele gazetarësh e ekspertësh të caktuar nga Federata Zvicerane e Futbollit.
Kandidatë në kategorinë e dytë ishin edhe Armando Sadiku e Shkëlqim Demhasaj, të cilët nuk janë përzgjedhur.
Gjithashtu, mbrëmja e sotme ka qenë zhgënjyese edhe për Taulant Xhakën, i cili nuk është votuar në formacionin më të mirë të ligës së parë edhe pse ka qenë një ndër protagonistët e Bazelit.
Ndërkaq, mes 11 më të mirëve të vitit në ligën elitare është zgjedhur Ezgjan Alioski, mesfushori shqiptar i Luganos që luan me përfaqësuesen e Maqedonisë.
Edhe në të kaluarën futbollistët shqiptarë kanë qenë pjesë e rëndësishme në mbrëmjen gala të futbollit zviceran (“SFL Awards”), ndërsa në vitin 2014 Shkëlzen Gashi arriti të shpallej futbollisti më i mirë.