Kur do të hiqet Prishtina nga karantina- tregon ministri Vitia

Kur do të hiqet Prishtina nga karantina- tregon ministri Vitia

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka folur për zbutjen e masave kufizuese, të vendosura në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit në Kosovë.

Vitia ka thënë se kreu i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani, i ka thënë se “Prishtina edhe pak duhet të qëndrojë në karantinë”.

Arsyeja, sipas Vitisë, ka qenë “për shkak të dendësisë së popullatës dhe faktorëve tjerë”.

“…Do të ishte jashtëzakonisht e rëndë për qytetarët, do të kishte pasoja edhe në aspektin ekonomik, por edhe për jetët e qytetarëve”, është shprehur ai.

Vitia ka thënë se, megjithatë, karantina për Prishtinën do të hiqet shumë shpejt.

“Menjëherë pas publikimit të këtyre masave, që do të ndodhë nesër, nëse jemi komplet gati… dhe në momentin që do të bëhen publike, do të kontaktoj dhe do të takohem me kryetarin Ahmeti që të hiqen këto masa”, ka deklaruar ai në Rubikon.

“Është një rrezik, se koha është përmirësuar, dhe festat e majit janë festa që sidomos në Prishtinë kanë një karakter të kalimit të kohës së lirë me shumë familjarë, dhe me shokë e shoqe, mund të jetë rrezik potencial në këtë drejtim”, është shprehur Vitia.

“Në momentin kur ta publikojmë relaksimin e masave, nesër apo pasnesër, do të kërkoj takim me kryetarin Ahmeti dhe do t’i flasim hapur këto çështje”, ka shtuar ai.

Sipas tij, heqja e karantinës për kryeqytetin do të bëhet “nëse jo më herët, më 4 maj sigurisht se po”.