Kur do të marrë fund bota unipolare?

Kur do të marrë fund bota unipolare?

Nga Peter Harris

“Shekulli Amerikan” po perëndon. Të paktën, ky është konsensusi i shumicës së analistëve të politikës ndërkombëtare. Pavarësist nëse i`a atribuojnë rënien e SHBA-ve mosfunksionimit të brendshëm, apo rritjes së Kinës dhe fuqive të tjera në zhvillim, vëzhguesit priren të bien dakord që herët a vonë, “momenti unipolar” do t’i hapë rrugë një sistemi ndërkombëtar, të populluar nga më shumë se sa një superfuqi.

Megjithatë, është e paqartë se si do ta mësojmë se kur bota unipolare do të ketë marrë fund. Edhe sa kohë do të duhet që një fuqi tjetër globale, të barazojë apo tejkalojë Shtetet e Bashkuara? Cili është pragu për shpalljen e unipolaritetit, si diçka që i përket së kaluarës? Shumica e përpjekjeve, për t’u përgjigjur këtyre pyetjeve përfshijnë akordimin e masave ekzistuese të fuqisë kombëtare agregate.

Nga kjo pikëpamje, kuptimi i rënies së SHBA-së është një çështje e parashikimit të momentit, në të cilin një konkurrente mund të tejkalojë Amerikën në terma agregate (ekonomike dhe ushtarake). Por, bota unipolare nuk është vetëm një shumatore e buxheteve relative ushtarake.

Ajo përcaktohet gjithashtu nga një shpërndarje gjeografike e fuqisë dhe ndikimit. Të dyja këto shkojnë dorë për dore.

Ushtria dhe ekonomia, mund ta lejojnë SHBA-në të mbështesë angazhimet e mëdha jashtë shtetit, por nuk është fuqia materiale ajo që i përcakton Shtetet e Bashkuara si hegjemonike. Ajo që ka rëndësi më shumë se çdo gjë tjetër, është vendosja e jashtme e fuqisë ushtarake dhe politike të Amerikës.

Lufta e Ftohtë përfundoi ose në vitin 1989 (kur represioni në Evropën Lindore nisi të lehtësohet) ose në vitin 1991 (kur Bashkimi Sovjetik pushoi tërësisht së ekzistuari). Por çfarë e shkaktoi saktësisht fundin e bipolaritetit? A ishte tërheqja sovjetike nga Evropa Lindore, shembja përfundimtare e Bashkimit Sovjetik, shpërbërja e Paktit të Varshavës, një ndryshim në qëndrimet dhe prioritetet e liderëve sovjetikë apo rusë, apo diçka tjetër?

Sipas shkencëtarit politik Harrison Vagner bipolariteti nuk u përcaktua kurrë nga ekzistenca e dy shteteve të fuqishme në politikën botërore, as nga madhësia e arsenaleve të tyre bërthamore, dhe as nga numri i aleatëve që secili mund të mburrej. Përkundrazi, “tipari dallues i shpërndarjes së pushtetit gjatë Luftës së Ftohtë”, ishte se “një shtet, Bashkimi Sovjetik, zinte në kohë paqeje një pozitë dominante pranë kontinentit Euroaziatik, një pozicion që në të kaluarën ka qenë në gjendje ta arrijër vetëm pas një serie fitoresh ushtarake”.

Me fjalë të tjera, bipolariteti gjatë Luftës së Ftohtë ka qenë një kusht gjeopolitik – një betejë e vazhdueshme e zhvilluar nga blloku perëndimor, për t’u mbrojtur ndaj dominimit të përgjithshëm sovjetik të disa hapësirave gjeografike, veçanërisht në Evropë dhe Azinë Lindore. Epoka e bipolaritetit përfundoi, kur transformimet e brendshme brenda Bashkimit Sovjetik, nënkuptonin se Moska nuk përbënte më kërcënim për sigurinë e këtyre rajoneve. Fundi i bipolaritetit nuk kërkonte rënien e plotë të Bashkimit Sovjetik, madje as zvogëlimin e konsiderueshëm të fuqisë së tij materiale.

Gjithçka që kërkohej, ishte një rikonfigurim i interesave dhe ndikimit, në një mënyrë të tillë që gara gjeopolitike mbi Euroazinë, u zëvendësua nga një grup i ndryshëm ndërveprimesh ndërkombëtare.
Çfarë do të thotë kjo për unipolaritetin – të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e tij? Së pari, nëse bipolariteti i epokës së Luftës së Ftohtë, u karakterizua nga një garë për epërsi në Evropë dhe në Azinë Lindore, atëherë rezulton se unipolariteti është gjithashtu një grup rrethanash gjeopolitike.

Ai përcaktohet nga pozita e favorshme gjeostrategjike, e trashëguar nga Shtetet e Bashkuara në fund të Luftës së Ftohtë: në një gati-hegjemoni në Evropë dhe Azinë Lindore. Thënë thjesht, SHBA-ja zë sot një pozicion gjeopolitik të ngjashëm me atë që gëzonte Bashkimi Sovjetik në vitin 1945.

Në Evropë, aleanca e drejtuar nga SHBA-ja shtrihet nga Atlantiku në Gjirin e Finlandës dhe Detin e Zi. Në Azi, Shtetet e Bashkuara krenohen me një varg aleancash dhe partnerësh informalë, që e rrethojnë gati tërësisht sfidantin e vet kryesore gjeopolitik, Kinën.

Nëse bipolariteti, përcaktohet nga një garë e vazhdueshme mbi kontrollin e kontinentit Euroaziatik, momenti unipolar diktohet nga mungesa relative e rivaliteteve gjeopolitike aktive.

Sigurisht, kjo është mënyra se si u duket bota unipolare rivalëve kryesorë të Amerikës.

Për strategët në Rusi, Kinë, Iran, Korenë e Veriut dhe gjetkë, sistemi ndërkombëtar i Luftës së Ftohtë, është karakterizuar nga pushtimi i përhershëm i territoreve që Shtetet e Bashkuara i vunë nën kontroll gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë, dhe prej të cilave nuk janë larguar ende, pavarësisht nga rivendosja e supozuar e paqes.

Ushtria amerikane, ushtron një kontroll të fshehtë në të gjitha oqeanet e botës. Liderët në Moskë dhe në Pekin, zemërohen nga pozita dominante e SHBA-së në Evropë dhe në Azinë e Paqësorit, por ata e dinë se përzënia e Amerikës nga Eurazia, nuk do të jetë një detyrë e lehtë.

Për shumicën e amerikanëve, vendosja e fuqisë së saj ushtarake të SHBA-së në Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme, është tërësisht e justifikueshme në emër të sigurisë ndërkombëtare, si dhe interesit kombëtar.

Por për kundërshtarët e huaj, “Pax Americana”, është një shpërndarje e padrejtë dhe e patolerueshme e fuqisë dhe ndikimit. Ai është një konfiguracion gjeopolitik, që vjen nga një lloj aksidenti historik, që duhet të përmbyset në favor të diçkaje më të drejtë dhe më të qëndrueshme.

Ashtu siç përfundoi bipolariteti kur Bashkimi Sovjetik, tërhoqi forcat e tij nga Evropa Lindore, dhe pushoi të ushtruari një prani të rëndësishme ushtarake në Azinë Lindore, edhe bota unipolare do të marrë fund kur ushtria amerikane të mos jetë më dominuese përgjatë dy krahëve kritikë të Euroazisë: Gadishullit Evropian, dhe shtetet detare të Azisë Lindore.

Dhe kjo mund të ndodhë në 2 mënyra. Së pari, është e mundur që një konkurrent ndërkombëtar (ose grup sfidantësh) të mund të përzërë Shtetet e Bashkuara nga Evropa, Azia ose nga të dyja. Për shembull, kjo mund të ndodhë nëse Rusia do të provokojë një luftë tokësore në Europë, që do të ekspozonte  si premtime boshe angazhimet e SHBA ndaj aleatëve të saj në Evropën Lindore.

Nga ana tjetër, Kina mund të joshë aleatët e Shteteve të Bashkuara në Azinë Lindore, ose arriti t’i detyrojë fqinjët e saj të braktisin arkitekturën rajonale amerikane të sigurisë rajonale. Një mundësi tjetër është një aleancë e euro-aziatike, që do ta bënte strategikisht të papërshtatshme për Shtetet e Bashkuara, mbajtjen e një pranie të madhe ushtarake jashtë shtetit.

Sidoqoftë, bota e sotme unipolare do të përfundojë vetëm kur Shtetet e Bashkuara, të humbasin statusin e tyre gati hegjemonik në Evropë ose në Azinë Lindore. Do të duhet të përmbysen rrethanat gjeopolitike në terren. Dhe presioni nga konkurrentët e huaj, është vetëm një nga rrugët që kjo mund të ndodhë.

Shënim: Peter Harris, është asistent profesor i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Kolorados, SHBA.

“National Interest” – Bota.al