
Publicisti Halil Matoshi, i cili sot iu bashkua Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kritikonte liderin e kësaj partie, Ramush Haradinajn, se nuk është duke u sjellë si burrështetas lidhur me çështjen e demarkacionit.
Në një intervistë për Gazetën Blic para rreth një viti, Matoshi thoshte se burrështetasit nuk nervozohen për një livadh dhe nuk bien pre e zemërimit të turmave.
“Burrështetasit nuk nervozohen për një arë a livadh, sepse nuk funksionojnë sipas zemërimit të turmave, që kanë humbur ca pëllëmbë toke a mali, për t’i kullotë dhitë!? Burrështetasve u intereson paqja dhe mirëqenia për popullin e tyre ,aq sa për popullin tjetër! Këta e sundojnë botën. Shikojeni sot Amerikën, ajo, përkatësisht administrata e Barack Obamas është përgjegjëse edhe për lirinë time dhe të fëmijëve të mi!, kishe thënë ai.
“Zoti Haradinaj e ka humbur balancin që e shquan një burrështeti, natyrisht se për këtë ka shumë motive të fuqishme, sepse punët nuk po shkojnë mirë, por kjo nuk është arsye e mjaftueshme që ai të dalë nga vetja. Sepse i doket se ka humbur shumë gjak e djersë për t’i bindur kosovarët se e ka përnjëmend ndërtimin e këtij shteti dhe se ai ka ndryshuar, është shndërruar në djalë të mire! Po kujt nuk i doket kështu?,” thoshte ai.
AAK ka qenë e zëshme ndaj kundërshtimit të demarkacionit, marrëveshje e cila ka mbetur të votohet në legjislaturën e ardhshme.
Matoshi zyrtarizoi aderimin në AAK vetëm disa ditë pasi në një intervistë për Gazetën Express kishte thënë se do t’i pëlqente të bëhej deputet në Kuvendin e Kosovës./Insajderi.com