Kur Kurti nuk insistonte për zgjedhje dhe thoshte se “radha duhet të na kalojë neve”

Kur Kurti nuk insistonte për zgjedhje dhe thoshte se “radha duhet të na kalojë neve”

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kur ishte në rolin e opozitarit thoshte se radha për krijimin e qeverisë duhet t’i takojë partisë së tij.

“E pash se Presidenti Hashim Thaçi kishte deklaruar se ja konfirmuar z. Ramush Haradinaj që i ka numrat, jam shumë kurioz ta di se çka quajmë konfirmim, cila është forma dhe përmbajtja e këtij konfirmimi sepse në rast të mossuksesit të Haradinajt duhet të na kalojë radha neve…”, kishte thënë Albin Kurti më 6 korrik 2017 para Baton Haxhiut në Klan Kosova, transmeton Gazeta Insajderi.

“Tash ai [Hashim Thaçi] do ta ketë fjalën që ta respektojë Kushtetutën, ligjet, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, procedurat”.

Por tash kur qeveria Kurti është rrëzuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës – kryeministri në detyrë ka mendim krejt tjetër rreth kësaj çështjeje.

“Ajo që ishte e panevojshme por u bë, po ashtu përbën shkelje. Presidenti takoi gjitha partitë parlamentare politike, dhe, më pas kërkoi nga subjekti ynë fitues i zgjedhjeve të propozojë kandidatin për Kryeministër. Pra, Presidenti nuk është neutral, ai ka interes politik dhe synim personal, gjersa duhej të ishte i paanshëm e procedural. Disi do të besojë se 25 marsi 2020 ka ndodhur pa 3 shkurtin 2020”, tha Kurti mbrëmë teksa iu përgjigj kërkesës së Thaçit për ta çuar emrin e mandatarit, shkruan Gazeta Insajderi.

Kurti rithekson se pas rrëzimit të qeverisë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, dhe nuk duhet t’i jepet mundësia partisë së dytë, ashtu siç mendonte më 2017 se radha duhet t’i kalojë partisë së tij.

Thaçi pas i ka takuar për dy ditë liderët e të gjitha partive – të cilët janë pro krijimit të një qeverie të re dhe kundër zgjedhjeve, ashtu siç është edhe Presidenti – ka vendosur që Kurtit t’ia kërkojë emrin e mandatarit për krijimin e qeverisë së re./Insajderi.com