Kur partitë politike marrin mësysh

Partitë politike në Kosovë kanë dhënë një praktikë interesante. Në kohën kur ato janë në kulmin e rritjes, përçarja brenda tyre nis të theksohet. Shpesh thuhet se në politikë njerëzit hyjnë për t'u kontribuar qytetarëve. Por kjo nuk po del të jetë ashtu. Shumë prej tyre nuk e kanë idenë se çfarë t'u shërbejnë qytetarëve, përveç interesit të tyre personal.

Kur partitë politike marrin mësysh

Praktika ka treguar se partitë politike kur janë në kulmin e zhvillimit të tyre, ato dinë edhe të përçahen. Kjo ka ndodhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Kjo parti që nga paslufta arriti t’i fitojë zgjedhjet derisa u përça thellësisht, saqë u krijuan dy parti. Në njërën anë ishte LDK-ja, kurse në anën tjerët u formua Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) në krye me Nexhat Dacin dhe të pakënaqurit tjerë.

Në nëntor të vitit 2006 LDK-ja po e mbante Kuvendin e Përgjithshëm të partisë. Aty u vendos që LDK-në ta drejtonte Fatmir Sejdiu. Kjo shkaktoi pezmin te një pjesë e kësaj partie. Ndasitë ishin aq të thella, saqë pati edhe përleshje fizike mes kundërshtarëve.

Krejt kjo tollovi dhe përçarje u shkoi përshtati partive tjera, sidomos PDK-së, e cila që nga themelimi i saj asnjëherë nuk arriti t’i fitojë zgjedhjet.

Tashmë elektorati i LDK-së ishte ndarë, një pjesë shkoi me LDD-në e Nexhat Dacit. E përbashkëta e këtyre dy partive ishte se ato mëtonin në “frymën rugoviane” të tashmë ish-liderit të ndjerë Ibrahim Rugova.

Përçarja ndodhi dy vjet pas vdekjes së tij.

Zgjedhjet e Përgjithshme Parlamentare po afroheshin, dhe LDK-ja ishte dobësuar shumë. Kurse PDK-ja nisi rrugëtimin e saj për t’i fituar zgjedhjet. Ashtu edhe doli. Në zgjedhjet e vitit 2007, PDK-ja doli fituese dhe kryeministër u bë Hashim Thaçi, lideri i kësaj partie.

Prej këtu PDK-ja nisi të rritej dhe deri më tani nuk lëshoi pe, por i fitoi të gjitha zgjedhjet. Megjithatë, kur PDK-ja ishte në hovin e madh të zhvillimit, nisën përçarjet brenda saj.

Edhe PDK-në e zuri fati i LDK-së dikur. Dallimet në partinë e Hashim Thaçit ishin aq të thella, saqë u krijuan dy parti.

Dy figurat ndër më të rëndësishmet në PDK, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, e lanë PDK-në dhe formuan parti të re “Nisma për Kosovën”.

Këtu edhe nisi rënia e PDK-së. Ndonëse ajo i fitoi edhe zgjedhjet e tjera nacionale, megjithatë, kësaj partie iu deshën koalicione me një varg partish tjera më të vogla për të mbijetuar.

Kjo u vërejt edhe në zgjedhjet e fundit nacionale, kur PDK doli të jetë partia e tretë në vend për nga numri i votuesve. Por shpëtimi i saj ishin prapë koalicionet me partitë e tjera, përfshirë këtu edhe AAK-në dhe Nismën për Kosovën.

Diçka e ngjashme po i ndodh edhe Lëvizjes Vetëvendosje. Ndonëse ajo u nis si lëvizje, më vonë u regjistrua si parti, duke e zhvendosur kështu aktivitetin e saj nga rruga për në institucione.

Rrugëtimi saj vazhdoi duke u rritur. Këtë e tregon edhe rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme në vend që u mbajtën në qershor të këtij viti.

Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë më e votuar në vend, ndonëse nuk arriti të jetë formuese e institucioneve.

Gjithashtu nuk doli keq as në zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Deri më tani kjo pari e udhëhiqte vetëm një komunë, Prishtinën. Kurse tash, përveç Prishtinës tashmë e udhëheq edhe komunën e dytë më të madhe në vend, Prizrenin.

Kur Lëvizja Vetëvendosje është në kulmin e rritjes së saj, lindën telashet brenda saj. Edhe pse thuhet se pakënaqësitë kanë nisur më shumë se një vit më herët, ato dolën tash në pah.

Brenda saj janë krijuar dy qëndrime të kundërta për mënyrën e udhëheqjes dhe mënyrën e veprimit.

Në këtë drejtim është parë se ndarja është bërë në dy grupe – në ata që e përkrahin Albin Kurtin; dhe krahu tjetër që e përkrahin Dardan Molliqajn.

Marrë për bazë këto pakënaqësi, Lëvizja Vetëvendosje ka paraparë për sot të mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Ende nuk dihet se çfarë do të vendoset aty.

Ndonëse nuk është paralajmëruar për ndonjë ndarje të Vetëvendosjes, megjithatë, këtë nuk e ka përjashtuar as kreu aktual i saj, Visar Ymeri./Insajderi.com