Kur PDK-ja e quante Kelmendin “intelektual me vizion” për zhvillim ekonomik

Kur PDK-ja e quante Kelmendin “intelektual me vizion” për zhvillim ekonomik

Kur në maj të vitit 2014, biznesmeni Ramiz Klemendi që sapo kishte braktisur Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe i ishte bashkuar menjëherë Partisë Demokratike të Kosovës, lideri i atëhershëm i kësaj partie, sot presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kishte dalë në një konferencë speciale për media, duke e prezantuar Kelmendin si “intelektual e biznesmen kreativ”.

Thaçi që atë kohë i kishte hyrë “Misionit të Ri” e prezantonte Kelmendin si një “afarist të fuqishëm në nivel rajonal” i cili i bashkëngjitej PDK-së si aset i rëndësishëm që do të zhvillojë ekonominë e vendit.

“Për mua është ditë e veçantë, por dhe për skenën politike të Kosovës, sepse intelektuali, deputeti dhe afaristi më i fuqishëm në Republikën e Kosovës dhe në nivel rajonal, i bashkëngjitet vizionit të PDK-së, vizionit për zhvillim ekonomik, misionit të ri për krijimin e  vendeve të reja dhe rritjes së mirëqenies sociale”, kishte thënë Thaçi në konferencën ku prezantoi biznesmenin Kelmendi.

Më pas Thaçi e kishte cilësuar Kelmendin si një ndër njerëzit e pakët në këtë vend që kanë vizion të qartë për zhvillim ekonomik.

“Kemi vendosur që bashkërisht të jemi në listën fituese, dhemb pas ti jepen të gjitha përgjegjësitë në qeverisjen e ardhshme për zhvillim ekonomik”, kishte thënë Thaçi.

“Kreativiteti dhe mençuria e z.Kelemendit i jep energji të re misionit të ri, misionit fitues”, kishte shtuar për fund ai.

Tri vjet më pas, kur Kelmendi  e la PDK-në pikërisht për shkak se nuk i dha asnjë përgjegjësi, e asnjë post, dhe shkoi tek partia tjetër e koalicionit, LDK-në, ai u godit rëndë nga PDK-ja, përkatësisht nënkryetari i kësaj partie Memli Krasniqi, ministër i Bujqësisë.

Kësisoj, Kelmendi prej njeriut kreativ, intelektual dhe vizionar, u shndërrua për PDK-në në një personalitet të cilin nuk bënë të merret seriozisht.

“Nuk mund të merret seriozisht njeriu që krejt pasurinë e tij e ka krijuar duke bërë biznes me Serbinë, në dëm të ekonomisë së Kosovës”, tha Krasniqi, për Gazetën Express.

Krasniqi, ministria e të cilit ia dha para tre muajsh një grant prej 150 mijë eurosh biznesit pronë e Kelmendit, nuk u ndal me kaq.

“Ai në një anë flet për zhvillim ekonomik në Kosovë e në anën tjetër gjithë biznesin e vet e bën me Serbinë, duke krijuar vende pune atje, në vend se t’i krijojë ato këtu. Para se të flasë dokrra të porositura nga të tjerët, Kelmendi më mirë është të ndalojë importet milionëshe që kompania e tij i bën me Serbinë dhe të fillojë të mbështesë prodhimet e Kosovës, të cilat i ka dëmtuar dhe i dëmton edhe sot”, ka theksuar Krasniqi.

E Kelmendi ia kujtoi Krasniqit faktin sesi e kishin pritur në PDK.

“Memli, jam Ramiz Kelmendi i njëjtë, që gjersa isha në PDK, në konsideratën tënde isha, një punëdhënës i madh dhe i suksesshëm,ekonom i Kosovës dhe rajonit, mbështetës i zhvillimit ekonomik, veçanërisht i projekteve të bujqësisë, isha i përkrahur dhe i respektuar e kështu me radhë”, ka shkruar Kelmendi./Insajderi.com