Kurti për dënimin ndaj Vukotiqit: Krimet e luftës nuk mund të amnistohen

Kurti për dënimin ndaj Vukotiqit: Krimet e luftës nuk mund të amnistohen

“Krimet e luftës nuk parashkruhen, dhe nuk mund të kenë amnisti për këtë̈ krim të kryer gjatë luftës në Kosovë”.

Kështu, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në reagimin për dënimin me burg dhënë Zoran Vukotiqit, i cili është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për dhunim seksual gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kurti, pohoi se askush deri sot nuk është dënuar për këto krime lufte.

“Sot, pas 23 vitesh pandëshkueshmëri për krimin e dhunës seksuale, për herë të parë dënohet dikush. Zoran Vukotiqi është dënuar me 10 vite burgim për rastin e ushtrimit të dhunës seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Këtij vendimi të gjykatës i është gëzuar edhe Vasfije Krasniqi, deputete e Kosovës e cila ishte e dhunuar gjatë luftës.

Mbi 20 mijë gra shqiptare raportohen të jenë dhunuar nga forcat serbe. /Insajderi.com