Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti bashkë me presidenten në detyrë, Vjosa Osmani, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, në 22-vjetorin e kësaj masakre, njofton Insajderi.
Ata kanë theksuar se pa u vendosur drejtësia për krimet e Serbisë në Kosovë, s’mund të ketë paqe të qëndrueshme.
“Dëshmitë e gjenocidit serb mund t’i gjejmë anekënd Kosovës prandaj s’është kurrë vonë që për këto krime të flasim kudo në botë që edhe bota t’i kthejë sytë kah këto krime”, ka thënë Osmani para gazetarëve.
Ndërkaq Kurti ka shtuar se masakra e Reçakut kishte shërbyer si alarm për opinionin ndërkombëtar që të intervenojë në Kosovë.
“S’mund të ketë paqe të qëndrueshme përderisa s’ka drejtësi që sjell rehabilitim për viktimat e dënim për kriminelët”, ka deklaruar Kurti.
Para Kurtit dhe Osmanit homazhe ka bërë edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
Ndërsa, gjatë ditës pritet që homazhe në këtë vend të bëjnë edhe liderët tjerë të partive dhe institucioneve.
Ndryshe, të enjten Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit dhe kanë njoftuar se do të garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet e 14 shkurtit. Bazuar në këtë marrëveshje, Kurti do të jetë kandidat për kryeministër, ndërsa Osmani për presidente të vendit./Insajderi.com