Kurti: Dialogu me Serbinë do të vazhdojë edhe me qeverisjen e Vetëvendosjes

Kurti: Dialogu me Serbinë do të vazhdojë edhe me qeverisjen e Vetëvendosjes

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja  Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se edhe nëse Lëvizja Vetëvendosje do të vjen në pushtet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdoj por me kushte të Kosovës e jo të Serbisë.

Këto komente Kurti i ka bërë pas një ligjërate të mbajtur në Kolegjin ISPE.

“Së pari do të fillojë dialogun me serbët e Kosovës. Do t’i shohim serbët si serb lokal dhe rolin e tyre shoqëror. Për neve është me rëndësi që të gjendet më të mirët prej minoritetet, por jo të bëjmë dialog me Serbinë, sepse ajo as nuk ndjen keqardhje as asgjë. Çfarë do bisedime duhet të zhvillohen me kushte të Kosovës jo të Serbisë, bisedime nuk po zhvillohen ato janë ndërprerë , nuk e ka ndërprerë VV por institucionet”, ka thënë Kurti.

Kurti ka folur edhe për çështjen e demarkacionit i cili tha se janë dy hapa të domosdoshëm. Njëri për të hulumtuar dhe hetuar se si është ardhur deri në këtë gjendje dhe e dyta nisja e bisedimeve me Malin e Zi.

Kurti nuk ka mohuar koalicionin për formimin e Qeverisë edhe me ndonjë parti serbe, pasi siç tha “është obligim kushtetues”, njofton EO.

Ndërsa për integrimin evropian ai ka thënë se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor do të duhej të integroheshin përnjëherë pasi që sipas tij nëse Serbia do të anëtarësohej e para do t’i sjell Kosovës shumë probleme në rrugën evropiane.