Kurti: Do të siguroj banim për 4 mijë familje

Kurti: Do të siguroj banim për 4 mijë familje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se gjatë mandatit këtij mandati qeverisës, ka për të siguruar banim për katër mijë familje, njofton Insajderi.

Në takimin e Komitetit Këshillues për Studimin e Fizibilitetit për programin e banimit social në Kosovë, Kurti ka dhënë dhe disa detaje për realizimin sigurimit të vendbanimeve.

“Kjo do të arrihet përmes programit “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 150 muajve”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro.

“Ky është vetëm një fillim. Sepse e kuptojmë edhe nevojën e rëndësinë e madhe që ka banimi, e sidomos ai social për të cilin po diskutojmë këtu. Përderisa banimi është domosdoshmëri për familjen, banimi social është hallkë e rëndësishme për shoqërinë sepse ai konstituon komunitetin”, ka deklaruar Kurti.

Kurti shtoi se ndarja e hapësirave të përbashkëta nënkupton më shumë mundësi për njohje e komunikim me njëri-tjetrin, më shumë mundësi për afrim mes njerëzve.

“Sot kur vetmia cilësohet si një prej dëmtuesve më të mëdhenj të shëndetit mendor e rrjedhimisht fizik, solidariteti e afërsia mes njerëzve bëhet gjithnjë e më e nevojshme”, ka thënë ai. /Insajderi.com