Kurti do t’i përgjigjet kërkesës së Thaçit për mandatarin

Kurti do t’i përgjigjet kërkesës së Thaçit për mandatarin

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë, do t’i përgjigjet “me kohë” presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në lidhje me kërkesën e tij për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, i cili tha për Radion Evropa e Lirë se kryeministri Kurti do t’u përgjigjet letrave (kërkesave) të presidentit Thaçi.

Kërkesa e Thaçit, për caktimin e mandatarit për qeverinë e re bazohet në votimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, më 25 mars në kuvend, prej kur kjo qeveri konsiderohet se është në dorëheqje, përkatësisht në detyrë.

Presidenti i Kosovës, zhvilloi javën e kaluar takime të ndara me liderët e të gjitha partive politike, por duke u bazuar në Kushtetutë dhe rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, 2019, mundësinë e caktimit të mandatarit për kryeministër ia ofroi Lëvizjes Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve.

Kryeziu tha se për momentin, prioritet i qeverisë dhe kryeministrit Kurti mbetet angazhimi në përballjen me pandeminë e koronavirusit.

“Duke marrë parasysh rëndësinë jetike të betejës kundër virusit COVID-19, prioriteti i parë i kryeministrit dhe i gjithë qeverisë është i përqendruar në menaxhimin e kësaj pandemie, në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Përballë kësaj sfide, çdo çështje politike apo partiake duhet konsideruar e rëndësisë dytësore dhe tretësore”, theksoi Kryeziu.

Por, edhe Thaçi, theksoi Kryeziu, do të ketë përgjigjen e Kurtit se si e sheh lideri i Vetëvendosjes zgjidhjen në lidhje me situatën e krijuar pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë në kuvend.

“Përkundër të gjithave, zoti Kurti, në cilësinë e tij si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, do të gjejë një mundësi adekuate dhe jo të largët për të analizuar, me kujdesin e duhur, letrat e dërguara nga presidenti, si dhe për t’iu kthyer përgjigje atyre”, tha Kryeziu.

Në komunikimin e javës së kaluar ndërmjet Thaçit dhe Kurtit, ky i fundit i kishte kërkuar presidentit që të marrë parasysh vetëm një opsion, atë të shpërndarjes së kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve, por pasi që të ketë përfunduar e gjithë situata e krijuar me koronavirusin e ri.

Në nenin 100 të Kushtetutës së Kosovës, thuhet se nëse mocioni i mosbesimit votohet për qeverinë në tërësi, qeveria konsiderohet në dorëheqje. Kurse neni 82 e përcakton se kuvendi mund të shpërndahet nga presidenti pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të qeverisë.

Por, neni 95 i Kushtetutës së Kosovës shkruan se “nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, qeveria bie, dhe presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar qeverinë”.

Ky përkufizim, besohet se i jep të drejtën, të paktën herën e parë Vetëvendosjes si parti fituese që të propozojë mandatarin e ri për kryeministër.

Megjithatë, Kurti, insiston që zgjidhja të gjendet tek opsioni i parë, ai i shpërndarjes së kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme. Megjithatë, ai pretendon që edhe opsioni i shpërndarjes së kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve, duhet të pres përmbylljen e fazës së pandeminë së shpallur për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Rënia e Qeverisë së Kosovës në kohën e COVID-19, është përcjellë me reagime edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Si emërues i përbashkët i thirrjeve të tyre ishte që liderët politikë në Prishtinë të gjejnë zgjidhje kushtetuese.