Kurti e Çanak pajtohen se Serbia duhet t’i hapë arkivat dhe të japë informacione për varrezat masive

Kurti e Çanak pajtohen se Serbia duhet t’i hapë arkivat dhe të japë informacione për varrezat masive

Kryeministri i Kosovës, Albi Kurti, bashkë me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Hydajet Hyseni, u takuan të hënën me kryetarin e Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak, ku  çështja e personave të pagjetur nga lufta në Kosovë ishte tema kryesore, njofton Insajderi.

Kryeministri Kurti dhe politikani opozitar në Serbi u pajtuan se Serbia duhet t’i hapë arkivat dhe të japë informacione për varrezat masive që dyshohet se ndodhen në territorin e saj.

“Kryeministri Kurti e njoftoi z. Çanak se janë 1632 persona që konsiderohen të zhdukur dhe theksoi se qeveria do të angazhohet maksimalisht për të gjithë të pagjeturit, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në takim u diskutua për nevojën e forcimit të socialdemokracisë në rajon, dialogun e ri për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që bazohet në barazi, siç është edhe njohja e ndërsjellë.

“Z. Çanak e njoftoi kryeministrin Kurti me situatën politike në Serbi, ngufatjen e zërave të mirëfilltë opozitarë dhe të mediave nga pushteti aktual. Politikani opozitar Çanak tha se i ka marrë djalin dhe nipin për vizitë në Kosovë, që të shohin nga afër realitetin në të cilin jetojnë serbët dhe shqiptarët, sepse politika shtetërore, sipas tij, nuk po ia paraqet të vërtetën popullit në Serbi”./Insajderi.com