Kurti e emëron zëvendësministër kandidatin për deputet

Kurti e emëron zëvendësministër kandidatin për deputet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar si zëvendësministër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ish-kandidatin për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, Getoar Mjekun, njofton Insajderi.

Një gjë të tillë e ka bërë vetë Mjeku, nëpërmjet publikimit të fotografisë së vendimit të Zyrës së Kryeministrit për zgjedhjen e tij në këtë pozitë.

Mjeku me profesion është jurist. I njëjti ka shërbyer si përfaqësues ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me rastin për shtyerje të ekzekutimit të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Ai ka bartur numrin 75 në listën e kandidatëve për deputetë në Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Deri më tani, që prej formimit të qeverisë, Kurti ka përzgjedhur pesë zëvendësministra. Përveç Mjekut, në pozitën e zv.ministrave janë vendosur Hysen Durmishi (Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës), Enver Dugolli (Ministria e Mbrojtjes), Blerim Sallahu (Ministria e Drejtësisë) dhe Ilir Aliun (Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve)./Insajderi.com