Kurti: Edhe ata që punojnë kanë shumë probleme

Kurti: Edhe ata që punojnë kanë shumë probleme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se edhe të punësuarit kanë shumë probleme; duke përmendur mungesën e sigurimit shëndetësor dhe mospagesën për punën jashtë orarit.

Krejt këto probleme Kurti i ka përkufizuar në “punë të pasigurt”.

Këto komente, kreu i ekzekutivit i bëri gjatë Kongresit Zgjedhor të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të shtunën.

Pos tjerash, aty – Kurit premtoi se paga minimale do të rritet në 250 euro.

“Pandemia e ka pasur një anë pozitive për punëtorët, ka reflektuar te shoqëria për punët që më herët nuk i kanë dhënë rëndësi”.

“Gjendja e punëtorëve është trashëgimi që jemi përballur nga dita e parë e punës. Do ta pesëfishojmë numrin e inspektorëve. Paga minimale do ta risim në 250 euro”, ka thënë Kurti.

“Falë organizimit sindikal në botë pushohet gjatë vikendeve e punohet me 8 orë. Është e gjatë lista që ka pas ndikim në jetën tonë veprimet sindikale”.

“Dekada e fundit për punëtorin kosovar ka qenë e kobshme për shkak të regjimit të Millosheviqit, e pastaj nuk kanë mundur të kthehen më në punë. E dimë që kemi papunësi të mëdha në Kosovë”, pohoi i pari i ekzekutivit.

Qeveria pretendon rritje ekonomike

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se GDP-ja e Kosovës ka shënuar rritje 16. 28 për qind.

Këtë rritje e ka bazuar në krahasimin e këtij gjashtëmujori me atë të vitit të kaluar.

Por, sipas tij nënkupton se Kosova ka rritje ekonomike 10.4 për qind.

”Lajmi i mirë është që aktiviteti ekonomik ka shënuar rritje rekorde që nuk e kemi parë deri tani ku në krahasim me vitin paraprak GDP-ja ka shënuar rritje prej 16.28 për qind. Rritja ekonomike për gjashtë muajt e parë të këtij viti është 10.4 për qind”.

“Mund të flasim për një rritje të përgjithshme ekonomike në gjysmë vitin e parë për sivjet”, tha ai në një konferencë për media.

Ai thotë se kjo rritje është me e madhe edhe kur e krahasojmë me rritjen ku nuk kishte pandemi.

“Këtë rritje e mbështesin edhe të dhënat nga ATK e Dogana se qarkullimi i bizneseve ka shënuar rritje prej 49.5 për qind”.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka disejnuar Pakon për Ringjalljen Ekonomike.

“Punësimi ka rritje prej 22 mijë vende pune të reja në krahasim me qershorin e vitit paraprak. Projeksionet për rritje i kemi pasur për 7.9 për qind, mirëpo marrë parasysh me performancën që pritet ta kemi mbi 10 për qind”, shtoi ai.

Pos mbështetjes financiare për bizneset e dëmtuara nga pandemia COVID-19 janë përfshirë edhe gratë dhe fëmijët.

Gratë lehona të papunësuara do të përfitojnë 170 euro gjashtë muaj pas lindjes.

Ndërsa, fëmijët deri në moshën 2 vjeçare do të marrin nga 20 euro. /Insajderi.com