Kurti: Grenell është drejtpërsëdrejti i përfshirë në krizën politike në Kosovë

Kurti: Grenell është drejtpërsëdrejti i përfshirë në krizën politike në Kosovë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se i dërguari i posaçëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Richard Grenell, është i përfshirë drejtpërdrejtë në krizën aktuale politike në Kosovë. Kurse në rast të formimit të qeverisë së re, për çka po insiston presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri në detyrë Kurti tha se popullit nuk mund t’i ndalen protestat, duke parashikuar edhe mundësi për destabilizim.

Në një konferencë online për mediat ndërkombëtare, Kurti tha se nisma e Lidhjes Demokratike të Kosovës për mocion mosbesimi ndaj qeverisë, e votuar në kuvend më 25 mars, ishte e koordinuar me ambasadorin Grenell. Ai tha se qeveria e tij u rrëzua, vetëm pse Grenellit po i ngutet “që të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë”.

Kurti tha se Grenell nuk po mbanë as tani një qëndrim neutral kur është në pyetje formimi i qeverisë së re.

Kurti tha se Grenell, që nga dita e parë, përmes mesazheve në WhatsApp, kishte insistuar në heqjen e taksës, por ai i kishte transmetuar atij qartë se do ta vendoste reciprocitetin ndaj Serbisë si një premtim zgjedhor. Ndërkohë, ai tha Grenell kishte shtuar trysninë mbi Lidhjen Demokratike të Kosovës, parti kjo partnere e Lëvizjes Vetëvendosje në koalicionin qeverisës, e cila, siç tha Kurti, iu nënshtrua këtyre presioneve. Kurse vendosja e reciprocitetit ndaj Serbisë, tha Kurti, ishte një marrëveshje e kahershme mes LDK-së dhe Vetëvendosjes.

“Kjo do të jetë një qeveri e re pa partinë fituese të zgjedhjeve dhe kundër fitueses së zgjedhjeve”, tha Kurti.

“Më duhet të them po ashtu se është për keqardhje që ambasadori Grenell është pozicionuar në anën e politikanëve të korruptuar, të cilët votuesit i zëvendësuan në zgjedhjet e fundit”, theksoi Kurti.

Kryeministri në detyrë i Kosovës tha se ambasadori Grenell po përpiqet të shtyjë përpara marrëveshjen për shkëmbim të territoreve, duke potencuar se një marrëveshje e tillë nuk do të mund të quhej paqësore.

“Mund të jetë që Grenell të jetë joshur nga Thaçi, por ai gjithashtu mund të jetë i joshur edhe nga fitimi i pikëve politike duke zgjidhur një mosmarrëveshjen shekullore,” shtoi Kurti.

“Atij i duhet një marrëveshje e shpejtë për të treguar se mund të zgjidhë krizat në botë për dallim nga Clinton, Bush dhe Obama, pa pasur nevojë për ndërhyrje ushtarake”, tha Kurti, duke rikujtuar se në SHBA është vit i zgjedhjeve presidenciale.

Kurti tha se dialogu duhet të bazohet në parime dhe se marrëveshja nuk mund të arrijet pas negociata.

Prej dialogut, nënvizoi ai, duhet të kenë përfitime në radhë të parë qytetarët dhe se SHBA-ja ashtu edhe BE-ja duhet të jenë të përfshira në këtë proces.

Kurti, tha se një këshilltar i tij gjatë një bashkëbisedimi me një këshilltar të presidentit i ka kumtuar atij se për çfarë marrëveshje po flet presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Tri komunat në veri, Leposaviqi, Zveçani e Zubin Potoku t’i takojnë Serbisë. Komuna e Preshevës i bashkohet Kosovës, por vetëm qyteti, pa fshatrat që ndahen me hekurudhën, ngase ishte thënë se hekurudha i përket Kinës”, tha Kurti.

“Liqeni i Ujmanit (Gazivodës) do të ishte nën kontrollin e NATO-s, Kisha Ortodokse Serbe do të kishte statusin e Vatikanit apo të Maunt Atos në Greqi. Kurse Mitrovica e Veriut do t’i takonte Kosovës”, theksoi Kurti.

Por, sipas tij, në një konferencë tjetër ku kishin marrë pjesë njerëz të afërt me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, ishte thënë që Mitrovica e Veriut të jetë një lloj kryeqyteti i Bashkësisë së komunave serbe poshtë lumit Ibër.

Pra, bëhet fjalë edhe për ndarje edhe për “Zajednicë” (Asociacion të komunave serbe”, theksoi Kurti, duke shtuar se edhe kjo nuk nënkupton njohje të Kosovës nga Serbia duke aplikuar modelin e dy Gjermanive.

“Kush mund të propozojë diçka të tillë”, tha Kurti, duke shprehur habi me qëndrimin e presidentit Thaçi.

Kurti tha se presidentit Thaçi tani po i duhet një kryeministër i ri i cili do t’ia mundësonte atij të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në kohën e pandemisë, duke shtuar se ishte pikërisht kundërshtimi që i bëri qëllimit të Thaçit për gjendjen e jashtëzakonshme çoi në rrëzimin e qeverisë.

“I duhet gjendja e jashtëzakonshme në mënyrë që të marrë kontrollin mbi Forcat e Armatosura, që Forcat e Armatosura t’i nxjerr jashtë, për të krijuar incidente në terren. Kështu që besoj se marrëveshja e dakorduar për shkëmbim të territoreve së pari do të zbatohet e më pastaj do të nënshkruhet”, tha Kurti, sipas të cilit kishte përpjekje që së pari të nënshkruhej marrëveshje e më pastaj të zbatohej. po kjo nuk kishte pasur sukses.

Sipas tij, populli kërkon zgjedhje të reja pas pandemisë së koronavirusit, duke shtuar se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, kurrë nuk ka pasur përkrahje dhe rritje më të madhe.

“Nëse presidenti dëshiron të shkelë Kushtetutën dhe vullnetin e popullit, ne do të ngritemi dhe nuk do të rrimë duke shikuar se si demokracia jonë po vdes”, tha ai, duke nënvizuar se momentin që Thaçi nis formimin e qeverisë, siç ka paralajmëruar, ai do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Por, nuk besoj se mund t’i ndalim njerëzit të protestojnë dhe mendoj se mund të ndodhë destabilizimi.

Komentet e Kurtit, pasojnë paralajmërimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për formimin e qeverisë së re të Kosovës gjatë kësaj jave dhe reagimit të ambasadorit Richard Grenell, i cili shkroi në Twitter se pret që qeveria e re të heqë reciprocitetin ndaj Serbisë në mënyrë që të vazhdojë dialogu për arritjen e marrëveshjes paqësore Kosovë-Serbi, masë të cilën e ka vendosur qeveria e Kurtit.