Kurti hedh dyshime mbi bizneset e Devollëve, thotë se Klan Kosova është pronë e tyre

Albin Kurti ka reaguar ndaj bizneseve të vëllezërve Devolli disa ditë pasi Shpend Ahmeti kryetari i Prishtinës, ishte fotografuar në Mal të Zi në Jahtin e njërit prej tyre, për të cilin pati reagime të shumta.

Kurti hedh dyshime mbi bizneset e Devollëve, thotë se Klan Kosova është pronë e tyre

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka hedhur dyshime mbi bizneset e kompanisë Devolli, duke thënë se për një kohë të shkurtë u shumëfishuan pronat dhe të ardhurat e kësaj kompanie.

“Edhe në Kosovë kemi emra biznesmenësh që për një kohë të shkurtër i kanë shumëfishuar pronat e të ardhurat e tyre në mënyrë eksponenciale, duke tejkaluar edhe Bill Gates-in e Steve Jobs-in në ShBA. Mirëpo, te ne në Kosovë, Bill Gates dhe Steve Jobs janë dy vëllezër, janë Blerim dhe Shkëlqim Devolli. Ata janë pasuruar shpejt dhe shumë përtej imagjinatës së tyre dhe përtej njohurive tona, thua se kanë bërë ndonjë inovacion në fushën e teknologjisë informative porsi Gates e Jobs”, ka thënë deputeti Kurti gjatë fjalimit të tij në Kuvend.

Ai ka thënë se Blerim dhe Shkëlqim Devolli shumë shpejtë u bënë pronarë të fabrikave më të mëdha në vend. Madje edhe të televizionit Klan Kosova.

“Për pak vite këta u bënë pronarë të kompanive më të fuqishme në vend si fabrika e miellit M&Sillosi, Qumështorja VITA, Princ Caffe, Fabrika e sfunxherit “Comodita dopio”, fabrika e lëngjeve “Tango”, “Z-mobile”, Qendra e homologimit, Terminali doganor në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë, Birra e Pejës, thuhet se edhe televizioni Klan Kosova është i tyre etj. etj.”, ka shtuar më tej deputeti kurti.

“Cili ishte inovacioni i këtyre vëllezërve? Çka zbuluan ata që u pasuruan kështu? Çudisë Devolli nuk i mungon shpjegimi por hetimi. Kosova është shtet i kapur jo vetëm pse është polici e kapur, gjyqësi e kapur, prokurori e kapur, RTK e kapur, shëndetësi e kapur, arsim i kapur, por edhe pse është ekonomi e kapur”, ka thënë më tej ai.

Kurti e ka kujtuar edhe bisedën e ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, dhe Shkëlqim Devollin, të cilat i kishte publikuar Gazeta Insajderi të njohura si ‘Dosja e Shefave’.

“Të gjithëve na kujtohet pronto biseda e Adem Grabovcit me Shkëlqim Devollin, ku Grabovci i thotë Devollit “Kqyre se s’mujta me të thirrë… m’u ka zbraz krejt fyti…”, ndërkohë që Devolli i përgjigjet “U bo shef, qe po t’i çoj…”. Shtrohet pyetja, a ju ka tharë fyti vetëm njëherë Grabovcit apo nuk i kanë publikuar pronto ankesat e tjera për tharje fyti? Cilido variant është më i keq se tjetri. Dhe, së dyti, Devolli i thotë Grabovcit shef e jo anasjelltas”, ka thënë Kurti gjatë fjalimit në Kuvend.

“E shef do të thotë shef kuzhine apo shef fisi apo shef klani apo shef firme. Përderisa në këtë qeveri e kuvend kemi politikanë që përfaqësojnë kapitalin ekonomik si puna e Ramiz Kelmendit dhe Margarita Kadriut, te Devollët kemi situatën e përmbysur: ata janë biznesmenë që përfaqësojnë kapitalin e pronto politikanëve. Nuk kemi vetëm politikanë që përfaqësojnë interesat e bizneseve por ka edhe biznesmenë që përfaqësojnë interesa të politikanëve. Devollët janë arketipi i biznesit paravan të kapjes ekonomike të shtetit”, ka shtuar Kurti./Insajderi.com

[arve url=”https://www.youtube.com/watch?v=wVir34GNJXA&feature=youtu.be” /]