Kurti: Indiferenca e organeve të drejtësisë bën të na mbeten në kokë emra grash të vrara

Kurti: Indiferenca e organeve të drejtësisë bën të na mbeten në kokë emra grash të vrara

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur mbledhjen e sotme të Qeverisë me disa fjalë për vdekjen e 18-vjeçares M.O., nga Ferizaj, e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj – Dardan Krivaqa, njofton Insajderi.com.

Kurti tha se dhuna mbi Marigonën u shfaq në formën më të rëndë, ndërsa dje iu dha lamtumira e fundit.

Më tej kritikoi organet e drejtësisë, për çka thotë se ka një indiferencë të përgjithshme që është instaluar për vite më radhë.

“Ne sërish u ndiem të pafuqishëm përballë një vdekje të jashtëzakonshme. Unë nuk guxoj t’i mendoj orët e fundit të jetës së një vajze të brishtë. Pas një veprimi të tillë na shuhen shpresat e na shuhen fuqitë. Vrasësi nuk ka njohur asgjë nga Marigona përveç moshës së saj. Viktimën e njohëm nga vrasja e saj, kurse vrasësin nga biografia e tij. Kjo është gjendja jonë shoqërore, një indiferencë e përgjithshme nga organet e drejtësisë e instaluar për vite ka bërë që në kokën tonë të mbeten me emra grash viktima të dhunës. Një edukim i tërë shoqëror duhet të thellojë ndjeshmërinë dhe respektin”, ka thënë ai.

Kurti më tej shtoi se drejtësia është çështje e shoqërisë në tërësi dhe se përgjegjësia i takon tërë trupës shoqërore. /Insajderi.com