Kurti javën e ardhshme në Bruksel

Kurti javën e ardhshme në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet që nga data 28 deri më 30 prill, të realizojë një vizitë në Bruksel, ku do të takohet me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përfaqësuesin e lartë, Josep Borrell dhe komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, transmeton Insajderi.

Kështu kanë konfirmuar burimet e Bashkimit Evropian në Bruksel, duke thënë se janë duke bërë përgatitjet finale për agjendën e takimeve që Kurti do të ketë me përfaqësuesit e lartë të bllokut evropian, raporton REL.

Siç bëhet e ditur, temat kryesore në këto takime pritet të jenë dialogu me Serbinë, përballja me pandeminë në Kosovë dhe ndihma që në këtë drejtim ofron BE-ja si dhe procesi i reformave.

Të njëjtën javë, por jo edhe në të njëjtën kohë, në Bruksel pritet të qëndrojë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ndonëse paraqiten spekulime se mund të ketë një takim Kurti-Vuçiq, nga BE thonë se “nuk janë në dijeni për një mundësi të tillë”.

Vuçiq pritet që më 26 dhe 27 prill t’i zhvillojë takimet në Bruksel, ndërkaq, Kurti një ditë më pas.

Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, BE-ja do të dëshironte që takimi i parë Kurti-Vuçiq të realizohet sa më shpejt, por realisht një takim i tillë pritet të ndodhë diku në muajin maj. /Insajderi.com