Kurti: Kosova është shtet i kapur

Kurti: Kosova është shtet i kapur

Kandidati për kryeministër nga radhët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, me anë të një postimi në Facebook ka përkujtuar nëntëmujorin e vdekjes së aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit.

Ai ka thënë se krimi mbi Astritin po shtohet me drejtësinë e munguar, ndërsa ka shkruar se ‘’sikur ne të kishim të bëjmë me korrupsionin në institucione apo krimet e pasluftës moti do t’i kishim pranuar ofertat e PDK-së për t’iu bashkangjitur në qeverisje.’’

Kurti thotë se Kosova është shtet i kapur, ku kapësit po qahen e po ankohen, po shajnë e po shpifin.

Deklarata e plotë e Albin Kurtit:

“Sot janë mbushur nëntë muaj prej se Astrit Dehari u mbyt në Burgun e Prizrenit. Krimi mbi Astritin po shtohet me drejtësinë e munguar. Ne duam drejtësi pa hakmarrje.

Na kanë mbajtur e po na mbajnë burgjeve pa faj – Atdhe Arifi aktualisht ndodhet në burgun e Pejës. Sikur ne të kishim të bëjmë me korrupsionin në institucione apo krimet e pasluftës moti do t’i kishim pranuar ofertat e PDK-së për t’iu bashkangjitur në qeverisje.

Republika e Kosovës është shtet i kapur, ku kapësit e shtetit po qahen e po ankohen, po shajnë e po shpifin. Nuk mund të kthehemi para 11 qershorit. As para 11 qershorit 1999, as para 11 qershorit 2017!

Qytetarët duan drejtësi e punësim, liri e barazi, siguri e demokraci. Qytetarët duan ndryshime. Le t’i duam qytetarët!” (sic.).