Kurti: Kosova do të ketë ushtri me 20.000 trupa

Kurti: Kosova do të ketë ushtri me 20.000 trupa

Albin Kurti, i nominuar për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, ka folur për mediat serbe, lidhur me formimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës, dialogun me Serbinë, e edhe formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Kurti në një intervistë për Blicin beogradas, ka thënë se Kosova duhet të ketë një ushtri prej 20 mijë pjesëtarësh, pasi sipas tij, rreth një për qind e popullësisë duhet të jetë e përfshirë në ushtri, përcjellë gazetametro.net.

Lidhur me dialogun me Serbinë, Kurti ka thënë se nëse ai merr drejtimin e qeverisë së Kosovës, ka një plan ekonomik dhe social për komunat veriore të vendit, të banuara me shumicë serbe.

“Ne nuk jemi kundër serbëve, por Serbia është kundër nesh”, ka thënë Kurti.

Për qeverinë e re të Kosovës, Kurti ka thënë se nuk mund të ketë qeveri të re, me regjim të vjetër, duke aluduar këtu në koalicionin e PDK-së me AAK-në dhe Nisma-n, të cilët kanë fituar të drejtën për formimin e qeverisë, pasi kanë dal si grupacioni më i votuar në zgjedhjet e 11 qershorit.

Kurti ka thënë se ai si kandidat për kryeministër do t’i ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për të filluar dhe për të udhëhequr bisedimet për të formuar një qeveri të re.

“Në radhë të parë ne do të diskutojmë me partitë e koalicionit të përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Kosovën e Re, Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, por edhe me disa deputetë të cilët janë pjesë e koalicionit PAN.

 

Kur është pyetur për ushtrinë, Kurti ka thënë se populli i Kosovës duhet të vendos dhe të ketë të drejtë të mbrohet.

“Kosova ka nevojë për një ushtri që të ruaj paqen. Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë një institucion që do të garantojë sigurinë, por edhe një partneritet me aleatët tanë – Shqipërinë, SHBA’të dhe integgrim në NATO. Krahasur me Serbinë e cila çdo vit ndan 500 milionë euro për ushtrinë, Kosova ndan dhjetë fish më pak. Aktualisht vetëm 50 milionë euro ndahen për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kosova ka nevojë për të ndërtuar ushtrinë e saj, në raport me popullsinë. Ne kemi rreth dy milionë njerëz, dhe sipas disa studimeve, është mirë që një për qind e popullsisë të jetë e përfaqësuar në fushën e sigurisë, dhe të mbrojtjes, që do të thotë se në radhët e policisë dhe ushtrisë të jenë rreth 18,000 deri në 20,000 anëtarë”, ka thënë Kurti.