Kurti kujton letrën e Thaçit dërguar Trumpit: Si na paska qenë afër marrëveshja me Serbinë?

Kurti kujton letrën e Thaçit dërguar Trumpit: Si na paska qenë afër marrëveshja me Serbinë?

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar përgjigjen e presidentit Hashim Thaçi drejtuar presidentit amerikan Donald Trump për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, në të cilën Thaçi shprehet se ‘një marrëveshje që do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë është afër tani”.

Kurti thotë se gjashtë muaj u bënë sot nga letra që ia dërgoi Presidentit Trump,  mirëpo Thaçi nuk mori përgjigje.

“Si na paska qenë afër marrëveshja që zgjidh të gjitha çështjet e hapura në mes Kosovës e Serbisë?! Pse nuk ka asnjë raport zyrtar nga presidenti as për institucionet dhe as për qytetarët e Kosovës mbi përmbajtjen e pozicioneve aq shumë të afruara me Serbinë? Çka qenka kjo gati-marrëveshje që i zgjidh të gjitha çështjet e hapura për dallim nga 33 marrëveshjet e dialogut paraprak gjashtëvjeçar?”, pyet Kurti.

“Pazar sekret, sigurisht. Mirëpo, edhe projekt i dështuar, gjithsesi”, shkruan Kurti.

Kurti ka theksuar tutje se “nga protesta më e madhe e Kosovës së pasluftës “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu” (mbajtur më 29 shtator 2018) e deri te vendimi i Gjykatës Kushtetuese që diskreditoi qeverinë, presidentin dhe ekipin e tyre rezervë për dialog (publikuar më 27 qershor 2019), të gjithë akrobatët e morën përgjigjen e merituar”.