Kurti me telefon ngushëllon familjet e dy të vdekurve nga koronavirusi

Kurti me telefon ngushëllon familjet e dy të vdekurve nga koronavirusi

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka telefonuar sot për ngushëllime familjarët e dy personave që sot vdiqën si pasojë e koronavirusit.

Këtë e ka bërë të ditur Zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu.

“Sot gjatë ditës, Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka telefonuar familjarët e dy viktimave të shënuara sot nga virusi Corona për t’u shprehur ngushëllimet më të sinqerta.

Ne të gjithë, së bashku, ndajmë dhimbjen me familjet e S.N. nga Prishtina dhe atë të N.R. nga Prizreni. Ky lajm i hidhur, le të jetë thirrje më e zëshme për disiplinë dhe respektim të këshillave të ekspertëve shëndetësor. Këto këshilla janë në të mirë të secilit prej nesh, atyre për rreth nesh dhe shëndetit publik të përbashkët.

Asnjëri nga ne nuk jemi imun ndaj virusit Corona, andaj edhe të gjithëve na takon përgjegjësia që ta ndalojmë përhapjen e tij. Ju lutemi rrini në shtëpi, mbani distancën e rekomanduar dhe kujdesuni për higjienën tuaj”. /Insajderi.com