Kurti: Nuk ndihem i rrezikuar, as dje e as sot nuk e kam ndryshuar agjendën time

Kurti: Nuk ndihem i rrezikuar, as dje e as sot nuk e kam ndryshuar agjendën time

“Nuk ndihem i frikësuar. As sot e as dje nuk e kam ndryshuar agjendën time”.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të enjte, derisa është pyetur në një konferencë për media nga gazetarët lidhur me kërcënimin që i është bërë një ditë më parë.

“Janë organet e sigurisë ato që vlerësojnë kërcënimet dhe ndërmarrim veprimet në përputhej me rrethanat e caktuara”, është shprehur kreu i ekzekutivit.

Shqip.com të mërkurën mbrëma ka raportuar se në grupin “Shes blej gjithçka” në rrjetin social Facebook, një person “ka ofruar” 35 mijë për “kokën” e kryeministrit Kurti.

Postimi është fshirë nga platforma, pasi është vënë në pah nga organet e sigurisë.

Në atë postim, thuhet se “Kurti duhet të vritet”, ndërsa si arsye përmendet rritja e çmimeve për produktet esenciale.

Kërcënimi ndaj të parit të Qeverisë është konfirmuar edhe nga Përparim Kryeziu, zëdhënës i ekzekutivit.

Ai nuk ka dhënë më shumë detaje, por ka thënë se “kryeministri vazhdon angazhimin e tij të rregullt”.

Ky është kërcënimi i parë ndaj Kurtit i bërë publik që nga marsi kur e mori detyrën në Qeveri.

Por, Kurti më parë ishte kërcënuar edhe si opozitar.

Në dhjetor të vitit 2019 përmes një postimi në Facebook e kishte kërcënuar zyrtari atëhershëm i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti.

Për të ka pasur edhe proces gjyqësor./Insajderi.com