Kurti para tre viteve: Nuk do të ketë më anëtarë të bordeve me libreza të partive

Kurti para tre viteve: Nuk do të ketë më anëtarë të bordeve me libreza të partive

Të paktën tre zyrtarë të Vetëvendosjes dhe disa aktivistë u bënë pjesë e bordeve të ndërmarrjeve të ndryshme publike, apo edhe institucioneve tjera në vend.

Mirsad Shkreta, ish-kandidat për deputet e këshilltar i ministrit Arben Vitia, u emërua anëtar në Bordin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar.

Pastaj vazhduan me emërimin në borde të ndërmarrjeve publike të anëtarëve si Mentor Hyseni, Artan Dermaku, Avdullah Lala e Kujtim Shala ishin aktivistët dhe zyrtarët që u emëruan në borde të Postës së Kosovës, Infrakosit dhe Ujësjellësit ‘Prishtina’, shkruan Reporteri.

Në fakt të gjithë u befasuan dhe reaguan për këto lajme. Sepse Vetëvendosje kishte premtuar se nuk do të dërgonte njerëz të partisë nëpër borde, shkruan Reporteri.

Madje në një intervistë, në kohën e fushatës për zgjedhjet e vitit 2017, më datë 9 qershor, lideri i Vetëvendosjes, tash kryeministër në detyrë, Albin Kurti kishte qenë shumë i prerë dhe i vendosur se nuk do të bëjnë siç kishin beri deri atëherë partitë tjera.

“A keni me i depolitizu krejt, po – jo?”, e kishte pyetur gazetarja, Kurtin.

Dhe ai kishte qenë i prerë në përgjigjën e tij.

“Po, ne dot’i departizojmë dhe depolitizojmë bordet. Nuk do të ketë më anëtarë të bordeve me libreza të partive ose me mbiemra të përveçëm që janë përzgjedhë”, kishte thënë Kurti 2 ditë para zgjedhjeve të 2017.

E në reagimin e djeshëm, për emërimin e tyre, ai pati një arsyetim të luftimit të së keqes, shkruan Reporteri. Nuk tha asgjë për ato që kishte premtuar dikur.

“Shkarkuam borde e emëruam të rinj. Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” Sh.A., “Posta e Kosovës” Sh.A. dhe “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos” Sh.A., tash kanë borde të reja e profesionale. Këto borde janë të përkohshme të cilat do të merren me ç’kapjen e plotë nga shpërdorimi dhe luftimin e krimit e korrupsionit brenda tyre”, tha Kurti dje.