Kurti paralajmëron qytetarët për koronavirusin: Duhet të përgatitemi si shoqëri edhe mendërisht për atë që po vjen

Kurti paralajmëron qytetarët për koronavirusin: Duhet të përgatitemi si shoqëri edhe mendërisht për atë që po vjen

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përmes një videoje ka kërkuar nga qytetarët që të përgatiten për atë që e pret shtetin dhe qytetarët në përballjen me virusin Covid-19, shkruan Insajderi.

“Sot jemi në ditën e 16 prej se është regjistruar rasti i parë me virusin Corona në Kosovë. Që nga dita e parë kemi kërkuar nga ju që këtë situatë ta marrim me qetësi, me kujdes dhe higjienë të shtuar, por pa panik. Paniku nuk na ndihmon asnjëherë sepse kurrë nuk e dimë sa duhet të frikësohemi tamam dhe shpesh herë frikësohemi më shumë se ç’duhet. Kjo nuk do të thotë se situata nuk është serioze. Në fakt kjo është situata më serioze që kemi pasur që nga lufta e fundit që kemi pasur para me shumë se dy dekadave”, tha Kurti, raporton Insajderi.

Kurti ka theksuar se shteti dhe qytetarët po testohen në përballjen me koronavirusin.

“Virusi Corona është duke testuar shtetin dhe shoqërinë tonë, por edhe gjithë njerëzimin. Andaj secili nga ju, secili nga ne, e të gjithë së bashku duhet të përgatitemi për atë që na porej javëve dhe muajve në vazhdim. Është e vërtetë se për shkak të këtij virusi jeta jonë ka ndryshuar, por po bëjmë gjithçka që t’i mbrojmë me të dashurit tanë”, theksoi ai.

Madje, kreu i ekzekutivit u ka kërkuar qytetarëve që të përgatiten edhe mënderisht për atë që po vjen.

“S’ka dyshim se ky virus ka prekur jo vetëm shëndetin tonë trupor por edhe shëndetin e ekonomisë sonë. Në botë tashmë ka një ngadalësim ekonomik për shkak të Virusit Corona. Prandaj duhet të përgatitemi edhe si shoqëri edhe mendërisht për atë që po vjen. Mënyra e vetme për ta përballuar këtë krizë është kur ne marrim përgjegjësitë që na takojnë si individ”, u shpreh ai. /Insajderi.com

Shikojeni videon e plotë të Kurtit: