Kurti: Për 100 ditë menaxhuam me sukses pandeminë dhe siguruam dy milionë vaksina

Kurti: Për 100 ditë menaxhuam me sukses pandeminë dhe siguruam dy milionë vaksina

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para kabinetit qeveritar ka prezantuar punën e 100 ditëshit të Qeverisë që ai drejton duke thënë së gjatë kësaj kohë janë siguruar dy milionë vaksina, shkruan Insajderi.

Kryeministri ka thënë se me marrjen e mandatit qeverisës kishim numër të madh të infektimeve me COVID-19 dhe rasteve të vdekjeve dhe nuk kanë gjetur asnjë kontratë për negocimin e sigurimit të vaksinave.

“Kur morëm mandatin kishim 781 raste me infektime të reja dhe 107 vdekje, kurse sot kemi 9 raste të reja dhe asnjë vdekje. Fatkeqësisht nuk gjetëm asnjë vaksinë dhe asnjë kontratë të negociuar për sigurimin e tyre , sot kemi 2 milionë vaksina të siguruar ku afro 400 mijë sosh kanë arritur dhe mbi 200 mijë doza ta administruara”, u shpreh Kurti.

 Ai ka deklaruar se në këto 100 ditë kanë marrë 144 vendime dhe kanë kaluar projektligje e dokumente të rëndësishme.

Ai më tej, tha se janë zotuar së do të ndalin trendin e infektimeve dhe vdekjeve dhe së dyti sigurimin e sa me shumë dhe shpejt të vaksinave.

“Në këto 100 ditë ne kemi marrë 144 vendime dhe kemi kaluar projektligje e dokumente të rëndësishme. Kur e bëmë betimin në Kuvend me 22 mars thamë se prioritet kryesor është menaxhimi i pandemisë. U zotuam se do të bëjmë dy gjëra me urgjencë, ndaljen e trendit të infektimeve dhe ta kthenim mbrapsht trendin e vdekjeve, dhe së dyti të sigurojmë vaksina sa më shpejt e më shumë”, ka shtuar Kurti./Insajderi.com