Kurti përkujton ish-rektorin Statovci: Çfarë thoshte ishte në disproporcion të plotë me mënyrën se si fliste

Kurti përkujton ish-rektorin Statovci: Çfarë thoshte ishte në disproporcion të plotë me mënyrën se si fliste

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka shkruar se Statovci ishte një person i qetë, por që ishte i vendosur dhe pa dilemë.

“Ai fliste qetë, me ton të ulët, bile shumë të ulët, ndonjëherë madje duke të sforcuar për ta dëgjuar. Por çfarë thoshte ishte në disproporcion të plotë me mënyrën se si fliste. Fuqishëm, i prerë, pa kurrëfarë ekuivoke, i vendosur e përtej çfarëdo dileme. Sot Prof. Ejup Statovci do t’i mbushte 80 vite”, shkruan Kurti.

Kurti, kujton shkollimin e jetën e Statovcit kushtuar studentëve, ndërsa nuk ka pa përmendur edhe arrestimet që iu bënë atij nga policia serbe gjatë viteve të 90-ta.

“I shkolluar në Zagreb e Lubjanë, në Kembrixh e Harvard, gjithë jetën e kaloi i dedikuar për studentët e lëndët e tij. Pas dëbimit të studentëve dhe mësimdhënësve shqiptarë në qershor 1991, Ejup Statovci, zgjodhi të angazhohet në rifillimin dhe rimëkëmbjen e universitetit. Ai gjithashtu mori pjesë në hartimin e komentimin e Kushtetutës së Kaçanikut. Arrestimet e shumta përgjatë viteve të ’90-a nga policia e Serbisë, bastisjet e banesës së tij e zyrës së Universitetit që udhëhiqte nuk e frikësonin atë. Kurrfarë trysnie apo kërcënimi nuk e zmbrapsi”, shkruan Kurti.

Kryeministri në detyrë thekson se ndjehet i privilegjuar që ka njohur një njëri të tillë.

“Nën okupim e apart’heid, me Prof. Statovcin në krye, Universiteti i “Prishtinës ishte Universitet i Republikës së Kosovës. Ai e ruajti pavarësinë e universitetit nga politika e asaj kohe, e kjo gjë ishte vendimtare për protestat e studentëve të vitit 1997 – të cilave ai u priu. Është një privilegj i veçantë ta kesh njohur e të kesh qenë përkrah, e ta kesh pasur përkrah një njeri të vendosmërisë e rezistencës si Prof. Ejup Statovci. Prof. Statovci ishte shkencëtar i vërtetë i së drejtës – i përkushtuar ndaj dijes e përhapjes së saj. Ai duhet të jetë shembull se si ndërtohet universiteti, por edhe shoqëria e shteti”,shkruan në fund Kurti.

Prof Dr. Ejup Statovci ishte Profesor në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Juridik dhe Rektor i Universitetit të Prishtinës prej vitit 1991 e deri më 1997.