“Kurti pretendon të bëhet lider i rajonit”

“Kurti pretendon të bëhet lider i rajonit”

Profesoresha universitare, Jehona Lushaku, njëherësh edhe njohëse e çështjes së Integrimeve Evropiane, thotë se kryeministri Albin Kurti, në takimet e zhvilluara në Bruksel, tregoi se po pretendon të bëhet lider i Rajonit, transmeton Insajderi.

Lushaku vlerëson se fjalimet e kryeministrit Kurti, pas takimeve në Bruksel, ishin boshe dhe nuk kanë asgjë konkrete rreth atyre se çfarë është diskutuar në takime.

Ajo thotë se këto deklarime janë përtej qëllimit të takimeve në të cilat ishin pjesëmarrës kryeministri Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani.

“Deklaratat e Presidentes që pati në takimin në Slloveni por edhe zotëri Kurti po mbajnë fjalime që më shumë janë përtej qëllimit të takimeve për të cilat ata shkojnë. Pikërisht deklarata e mbrëmshme për rendin dhe ligjin, për luftimin e oligarkisë, autokracisë nuk janë të nevojshme për këto lloj takimesh, krejt çka i intereson publikut është se çka është diskutuar brenda dhe çfarë veprimesh konkrete priten dhe si do të jetë dialogu. Gjitha këto janë veprime konkrete që publikut i interesojnë”, shtoi Lushaku në ‘Rubikon’ të Klan Kosovës.

“Këto fjalimet boshe që qojnë madje përtej kufirit të Kosovës. [Kurti] ka nevojë që fillimisht të jetë vizionar për Kosovën dhe të sqarojë vizionin e qartë për vetë Kosovën e pastaj me shku me pretendu me u bo lider i Rajonit. Këto fjalimet që shkojnë përtej kufijve të Kosovës nuk e di – por prapë nuk ka përgjigje konkrete për neve qytetarëve pasi ne presim qartësi për dialogun dhe qartësi të deklaruar në programin e Qeverisë që nuk kishte ndonjë veprim pasi kishte më shumë përgjithësime se çka do të bëjë”, tha Lushaku.

Analistja politike mes tjerash theksoi se dialogu Kosovë-Serbi po del të jetë prioriteti më i rëndësishëm i Qeverisë Kurti.

“Prej se ka filluar Qeveria Kurti 2 vërehet një lloj diskrepancë në prioritete, nuk është ajo që është deklaruar përpara zgjedhjeve. Dialogu ka qenë i planifikuar si prioriteti i gjashtë siç është deklaruar por ne po e shohim se energjia më e madhe e kësaj qeverie po shkon pikërisht në dialogun dhe në këto takimet rajonale pavarësisht se për to nuk po thuhet se kanë implikim në dialog”.

“Po shihet se ka një koncentrim në këtë pasi brenda pak muajve kemi disa takime dhe disa shkuarje në Bruksel po të ishte prioriteti i gjashtë do të kishim më shumë veprime të ndërmarra në rendin dhe ligjin dhe në veprime të tjera të cilat kanë qenë prioritete të para”, tha Lushaku. /Insajderi.com