Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë për media, foli në lidhje me ftesën e radhës të cilën ia ka dërguar kryeministrit Albin Kurti, ftesë kjo që është refuzuar nga ky i fundit, shkruan Gazeta Insajderi.
Thaçi, tha se e ka thirrur Kurtin të bisedojnë për zhvillimet e reja, që i quajti mjaft dramatike në lidhje me paralajmërimet e SHBA-së për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, por që përsëri e ka refuzuar takimin.
“Në katër mundësi, nuk ka pranuar. Mendoj se do të ishte në interes që të gjithë të shfrytëzojmë mundësin, Kosovën nuk mund ta bëjë një grup shoqërorë, po Kosovën do ta bëjmë të gjithë ne. Ne duhet të shkojmë përpara me qëndrime unike. Ky qëndrim është forcimi i shtetit, rritja e vendeve të punës dhe ruajta si sytë e ballit bashkëpunimi me partnerët perëndimor e në veçanti me SHBA-të”, ka thënë Thaçi.
Ai tutje është shprehur se mesazhi i tij është që sot të fokusohen për vendimet që do t’i marrim dhe se ai pohoi që çdo vonesë në vendimmarrje e dërgon vendin në drejtimin e gabuar historik.
“Jemi dëshmitarë se të tjerët mund ta lënë rrugën në gjysmë, siç na kanë lënë gjithmonë në baltë, ashtu si mos-liberalizimi i vizave. Ata që nuk na kanë lënë kurrë në baltë kanë qenë SHBA-të,e ky realitet që është krijuar është një realitet për antipavarësi”, është shprehur tutje ai.
Presidenti ka thënë se shpreson që kryeministri të gjejë kohë për tu takuar me të
“Shpresoj që kryeministri të gjej kohë për t’u takuar, e ka përgjegjësi, në mënyrë që të mos ndodh takimi ynë i pavlerë, në ndonjë vendimmarrje të papritur që mund të vjen për shtetin tonë dhe për qytetarët tonë”, ka thënë Thaçi. / Insajderi.com