Kurti refuzon të marrë pjesë në takim me krerët e shtetit dhe të partive politike për konsultime rreth dialogut

Kurti refuzon të marrë pjesë në takim me krerët e shtetit dhe të partive politike për konsultime rreth dialogut

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se ka refuzuar të marrë pjesë në takim me krerët e shtetit dhe të partive politike për të diskutuar rreth procesit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Me anë të një postimi në Facebook, lideri i VV-së ka njoftuar se para tri ditëve kishte pranuar njoftimin për një kërkesë nga Ambasada e Kosovës në SHBA, të nënshkruar nga 25 veprimtarë shqiptarë, për të marrë pjesë në një takim virtual të përbashkët me krerët e institucioneve shtetërore e të partive politike, për të diskutuar perspektivën e strategjitë e veçanta e të përbashkëta të subjekteve kosovare në lidhje me procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti ka thënë se e ka refuzuar këtë ftesë për arsye se sipas tij një takim i tillë do të legjitimonte një proces i cili po zhvillohet tërësisht në mungesë të respektit për qytetarët, institucionet dhe demokracinë e Kosovës.

“Takimi mes udhëheqësve të institucioneve dhe kryetarëve të partive parlamentare do të kishte kuptim nëse qeveria do të kishte përgatitur një platformë me kërkesa ndaj Serbisë, të cilën do të duhet ta paraqiste në Kuvend për të kërkuar miratimin e 2/3 të deputetëve. Veprimi i qeverisë pa platformë, apo me platformë që i mbahet fshehur Kuvendit, jo vetëm që e fyen demokracinë dhe ne si subjekt më i madh parlamentar, por e dëmton interesin kombëtar”.

“Përveç kësaj, si mund të marrim pjesë në një takim të përbashkët me një figurë si presidenti i Kosovës, i cili vetë mbështet një plan krejt tjetër, për ta paguar Serbinë me copëtim të Kosovës nën petkun e shkëmbimit territorial? Ne nuk mendojmë se Kosova i ka borxh Serbisë diçka, dhe nuk dëshirojmë që përmes pjesëmarrjes në takime të zbusim sado pak mungesën e legjitimitetit të atyre që kanë delegjitimuar vetveten. Njohja e Kosovës nuk është diçka që ne mund ta blejmë, atë mund ta fitojmë duke ndërtuar e forcuar shtetin, ekonominë dhe demokracinë”.

Kurti ka theksuar se për të është problem edhe pjesëmarrja në një takim me një kryeministër i cili sipas tij nuk gëzon as legjitimitet demokratik e as autoritet popullor.

“Dobësia e tij do të shndërrohet në dobësi të Kosovës nëse nuk veprojmë ashtu siç duhet e nëse procesin nuk e udhëheq subjekti e personi që fiton zgjedhjet e lira dhe demokratike që duhet të mbahen sa më shpejt. E si vërejtje shtesë, duke qenë se në ShBA ka filluar tashmë para-fushata elektorale, një takim i tillë i gjithë subjekteve politike të Kosovës do të mund të interpretohej si mbështetje gjithëpartiake në Kosovë, për një proces që ka mbështetje vetëm njëpartiake në ShBA”.

“Presidenti i Kosovës, Thaçi, u përzie në zgjedhjet amerikane të 2016, kundër Donald Trump-it, e tash po përzihet në zgjedhjet e 2020 kundër Joe Biden-it. Të dyja herët, ka vepruar gabim, dhe e ka dëmtuar Kosovën. Mund të përfshihen në fushata krerët e partive, që mbështesin partitë me ideologji të ngjashme, por në asnjë mënyrë nuk bën të përfshihen krerët institucionalë shtetërorë, sepse është kundër parimeve elementare të diplomacisë e demokracisë. Tradita e historia e marrëdhënieve të Kosovës me ShBA na kanë mësuar që mbi të gjitha ta respektojmë politikën amerikane për ne si dakordësi bipartizane”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook. /Insajderi.com