Kurti: Serbia të distancohet nga Milosheviqi e të kërkojë falje – vetëm atëherë nis pajtimi

Kurti: Serbia të distancohet nga Milosheviqi e të kërkojë falje – vetëm atëherë nis pajtimi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas dënimit ndaj dy ish-shefave të shërbimit të sigurimit shtetëror të Serbisë, me nga 12 vjet burgim për udhëheqjen e grupeve paraushtarake gjatë luftërave në ish-Jugosllavi në vitet 1990, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Kurti thotë se strukturat e të njëjtëve individë, kanë kryer gjenocid edhe në Kosovë.

“Dy figura famëkeqe të regjimit të Millosheviçit, Jovica Stanisiç & Franko Simatoviç, u dënuan me 12 vjet burg secili për ndihmën dhe mbështetjen e krimeve të kryera nga një njësi speciale e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit Serb, Beretat e Kuqe, gjatë luftës në Bosnje në 1992. Këta janë të njëjtët persona, strukturat e të cilëve pas Bosnjës kryen gjenocid në Kosovë”, ka shkruar ai.

I pari i Qeverisë mes tjerash thotë se Serbia duhet të distancohet nga Millosheviqi dhe të kërkojë falje teksa shton se vetëm atëherë mund të fillojë pajtimi.

“Këta janë të njëjtët persona, strukturat e të cilëve pas Bosnjës kryen gjenocid në Kosovë. Serbia sot duhet të përballet me të kaluarën e saj, të pranojë të vërtetën, të kërkojë falje & të distancohet nga Serbia e Millosheviçit. Vetëm atëherë mund të fillojë pajtimi” është shprehur Kurti. /Insajderi.com