Kurti: Shkarkimet në Ujësjellës u bënë për ta mbrojtur paranë publike

Kurti: Shkarkimet në Ujësjellës u bënë për ta mbrojtur paranë publike

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shpjeguar në detaje arsyet e shkarkimit të disa zyrtarëve të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, nga bordi i përkohshëm i kësaj ndërmarrje, i emëruar ditë më parë nga qeveria e udhëhequr nga ai, shkruan Insajderi.

Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se janë detyruar të ndërhyjnë që ta ndalin keqpërdorimin e parasë publike nga menaxhmenti jo profesional dhe i papërgjegjshëm i KUR “Prishtina”.

“Të gjitha këto vendime janë ndërmarrë në përputhje me ligjin për ndërmarrjet publike me qëllim të ndaljes së degradimit të kësaj ndërmarrje dhe ruajtjes së parasë publike të qytetarëve. Bordi i përkohshëm është detyruar që të marr masa të shpejta pasi që Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina në tre vitet e fundit kishte pësuar rrënim me këtë menaxhment duke keqësuar gjendjen e saj operative dhe financiare. Jemi detyruar që të ndërhyjmë shpejt për të parandaluar këtë keqpërdorim që po i bëhej parasë publike përmes atij menaxhmenti jo profesional e të papërgjegjshëm”, tha Kurti, raporton Insajderi.

Ai shtoi se kompania nga viti 2016 deri në vitin 2018, kishte pësuar humbje prej 751 mijë euro.

“Ndërmarrja nga një fitim mbi 864 mijë euro në vitin 2016 kishte rënë në një humbje prej 751 mijë euro në vitin 2018. Ajo kishte marrë opinionin me të keq të mundshëm nga auditori i jashtëm dhe asnjëherë nuk ishte përfillur auditori i brendshëm. Për më tepër menaxhmenti edhe pse operonte me humbje kishte vazhduar të paguante bonuse për punëtorët në vlerë prej 110 mijë euro dhe vendime për neglizhencë në vlerë prej 208 mijë euro”, deklaroi Kurti.

Në mbledhjen e  jashtëzakonshme të mbajtur sot, Bordi i përkohshëm i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, ka shkarkuar zëvendësshefin e ujësjellësit, zyrtarin kryesor financiar, derisa është kthyer në pozitën e mëparshme ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv, e që është drejtor për konsumator.  /Insajderi.com