Kurti: S’ka presion për rinisje të dialogut, nuk do të ketë Asociacion njëetnik

Kurti: S’ka presion për rinisje të dialogut, nuk do të ketë Asociacion njëetnik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka presion nga Bashkimi Evropian e as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rinisje të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë, derisa konfirmoi se një takim midis palëve do të mbahet në mes të qershorit, njofton Insajderi.

Ai këto deklarata i ka bërë gjatë një vizite në Prizren.

“Do të ketë një takim kah mesi i qershorit, sot është 1 qershori, nuk është mesi i qershorit… Presion nuk ka, ka diskutime të vazhdueshme, dialogu do të jetë parimor, do të jetë i drejtë, ku Kosova nuk është objekt në tryezë po është palë në bisedime dhe me dijen, programin tonë dhe me ndërgjegjen e përgjegjësinë që kemi treguar ngaherë do ta përfaqësojmë Republikën e Kosovës për interesat e Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

I pyetur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Kurti tha se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.

“Unë më duket se ju përgjigja se çka do të ndodhë me asociacionin. E ka thënë edhe peticioni i qytetarëve edhe veprimet e atëhershme opozitare e qe besa edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi Asociacion njëetnik, pra është e domosdoshme që t’i integrojmë të gjithë qytetarët pa dallim etnie, të mos krijojmë ngrehina të cilat i ndajnë e i përçajnë ata”, ka shtuar ai.

Kurti gjatë kësaj vizite ka refuzuar të përgjigjet nëse ka qenë pjesë ose jo e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai nuk i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me këtë çështje.

“Sa i përket fushatave zgjedhore, ato do t’i bëjmë pas pushimeve verore, tani jemi për të parë cilësinë e punimeve infrastrukturore”, u shpreh ai.

Ndryshe, ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte bashkëluftëtar i tij në UÇK. /Insajderi.com