Kurti: Sot u shua mjeshtri gjakovar i muzikës popullore

Kurti: Sot u shua mjeshtri gjakovar i muzikës popullore

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shkruar për vdekjen e ikonës së muzikës popullore, Ismet Peja, njofton Insajderi.

Kurti ka ngushëlluar familjen e këngëtarit teksa ka thënë se Ismet Peja e ngriti në nivel të lartë, me talentin e tij, traditën qytetare të këngës në Gjakovë.

“Bir i një këngëtari, Ismet Peja e ngriti në nivel të lartë, me talentin e tij, traditën qytetare të këngës në Gjakovë, duke kontribuar edhe vetë, me këngë të reja në traditën e vjetër. Interpretimet e tij muzikore ishin të rëndësishme, ruanin pjesë të rrënjëve tona, na kujtonin lidhjet e ngushta të Gjakovës, jo vetëm me Prizrenin e Pejën, por edhe me Beratin, Elbasanin e Shkodrën, kontribuonin në ndërtimin e vazhdueshëm të bashkësisë sonë kombëtare, ndërtim i cili kurrë nuk ndalet”, thotë Kurti me anë të një postimi në Facebook.

“Dëshiroj të ngushëlloj familjarët e Ismet Pejës, shokët e kolegët e tij të Shoqërisë Muzikore “Hajdar Dushi”, si dhe gjerësisht muzikantët dhe adhuruesit e muzikës popullore shqiptare për humbjen e këtij fisniku të madh të këngës”, shton tutje ai. /Insajderi.com