Kurti takohet me ambasadoren e Suedisë, bisedojnë për raportet mes dy shteteve dhe vaksinat anti-COVID

Kurti takohet me ambasadoren e Suedisë, bisedojnë për raportet mes dy shteteve dhe vaksinat anti-COVID

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck, ku biseduan për raportet në mes dy shteteve dhe vaksinat anti-COVID.

Ambasadorja Hernmarck e uroi kryeministrin Kurti për fitoren në zgjedhje dhe i dëshiroi suksese në punën e tij.

Hernmarck ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Suedisë që bashkëpunimi në mes dy vendeve dhe dy qeverive të vazhdojë me intensitet të shtuar drejt avancimit të mëtejmë të tyre.

Gjatë takimit, ambasadorja Hernmarck e njoftoi kryeministrin Kurti lidhur me projektet dhe programet që shteti i saj mbështetë në Kosovë, e të cilat fokus kanë integrimin ekonomik me Bashkimin Evropian, fuqizimin e demokracisë, respektimin e të drejtave të njeriut, dhe çështjet ambientale.

Kreu i Ekzekutivit e falënderoi ambasadoren Hernmarck për urimin e saj, bashkëpunimin e deritanishëm dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë.

Ai tha se Suedia është sa partner ashtu edhe model për Republikën e Kosovës në synimet e saj për zhvillim ekonomik, barazi sociale dhe mbrojtje të ambientit.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti e njoftoi ambasadoren e Suedisë rreth fillimit dhe mbarëvajtjes së procesit të vaksinimit dhe për angazhimin e pareshtur të Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e dozave të tjera të vaksinave kundër Covid-19.

“Deri atëherë e edhe pas, është shumë e rëndësishme që të gjithë t’i përmbahemi me përpikëri masave preventive për parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të virusit Corona, tha Kurti. /Insajderi.com