Kurti takohet me ambasadorin e Britanisë së Madhe, tregon për çka biseduan

Kurti takohet me ambasadorin e Britanisë së Madhe, tregon për çka biseduan

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është takuar gjatë ditës së sotme me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbot dhe kryesuesin e Departamentit Politik në Ambasadën Britanike, Samuel Paice, përcjell Gazeta Insajderi.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Vetëvendosjes, është bërë e ditur se gjatë këtij takimi është diskutuar lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Nicholas Abbott e uroi Kryetarin Kurti për suksesin zgjedhor. Ai tha se Mbretëria e Bashkuar do ta vazhdojë përkrahjen për Republikën e Kosovës. Përveç luftimit te korrupsionit, nevojitet edhe përqendrimi i mëtejshëm edhe në krijimin e kushteve të reja për investime dhe mundësi për të rinjtë në vend”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Kurti ka njoftuar ambasadorin për prioritetet e qeverisjes së tij.

“Kurti e falënderoi ambasadorin Abbott për përkrahjen e deritanishme të Mbretërisë së Bashkuar dhe shprehu bindjen se me qeverinë e re bashkëpunimi mes dy vendeve tona vetëm sa do të thellohet. Kryetari Kurti e njoftoi ambasadorin se prioritet i qeverisë së re do të jetë zvogëlimi i pushtetit për forcim të shtetit, drejtësia institucionale e ligjore dhe zhvillimi ekonomik e punësimi. Sa i përket procesit zgjedhor, ai tha se nevojitet adresimi i parregullsive dhe shkeljeve që e përcollën atë në komunat me shumicë serbe si dhe fillimi i dialogut nga poshtë me serbët lokal që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes. /Insajderi.com