
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar, me të cilin ka diskutuar për vazhdim të bashkëpunimit dhe për eliminimin e disa barrierave ekonomike, njofton Insajderi.
Në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit thuhet se në takimin e së mërkurës të 31 marsit, të dy palët kanë shprehur vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit dhe kultivimin e mëtejmë të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy vendeve.
Tutje, thuhet se është biseduar edhe për mundësinë e eliminimit të disa barrierave ekonomike që do të lehtësonin investimet dhe shkëmbimet.
“Ambasadori Sakar, ka uruar kryeministrin Kurti për marrjen e detyrës e të zgjedhurit Kryeministër. Kurti e falënderoi ambasadorin për urimet dhe për përkrahjen e vazhdueshme të Turqisë përgjatë të gjitha fazave të shtetndërtimit nëpër të cilat ka kaluar Kosova”, thuhet në njoftim. /Insajderi.com