Kurti takon diplomatët italian, flasin për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve

Kurti takon diplomatët italian, flasin për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve

Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, së bashku me anëtarët e kryesisë janë pritur nga ministri i Mbrojtjes së Italisë, Lorenzo Guerini dhe ambasadori i Italisë në Kosovë Piero Cristoforo Sardi.

Sipas njoftimit të Lëvizjes Vetëvendosje, në një takim me atmosferë miqësore Guerini e uroi Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin dhe fitoren në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Njëherit Kurti e njoftoi ministrin mbi prioritetet e Qeverisë në ardhje për ndërtimin e një shteti të së drejtës, të barabartë në mirëqenie e të qëndrueshëm financiarisht. Sepse, populli vendosi që mbaroi pritja e gjatë për një qeveri të pakorruptuar dhe punëtore”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Kurti ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen për përkrahjen dhe ndihmën e Italisë për Kosovën për paqe, zhvillim, demokratizim e siguri. Italia është edhe fqinji më i madh i Ballkanit Perëndimor.

“Bashkëpunimi ynë do të jetë i afërt dhe i sinqertë, si bilateral ashtu edhe për BE e NATO. Prandaj edhe takimet tona do të jenë sa më të shpeshta e sa më konstruktive”, përfundon komunikata.

: