Kurti takon sot kryetarët e komunave

Kurti takon sot kryetarët e komunave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar për sot, e martë, në takim emergjent kryetarët e komunave.

Siç mëson Shqip.com, takimi do të mbahet në orën 10:00 për të diskutuar rreth situatës me pandeminë në vend.

Vendimi për takim erdhi pasi drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka reaguar për formimin e Komitetit për Menaxhimin e Pandemisë, jashtë së cilit u lanë të gjitha komunat.

Ai në një përgjigje me shkrim për Shqip.com u shpreh i habitur se si nuk janë ftuar nga qeveria për t’u bërë pjesë e komitetit, pasi siç tha ai “masat antiCOVID nuk zbatohet nëpër zyrat e qeverisë, por nëpër komuna”.

“Si mundet një grup të quhet koordinues kur përfaqësuesit e komunave nuk janë aty. Nuk e di se si mund të harrohen (me qëllim apo pa qëllim) institucionet ku zbatohen masat”, deklaroi ai.

36 persona të vdekur të dielën si pasojë e Coronavirusit, kanë bërë që Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ta mbledhin Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Pas atij takimi, Kurti-Vitia dolën në një konferencë për media, ku shpjeguan situatën aktuale në të cilën ndodhet Kosova.

Thanë se varianti delta është shumë i rrezikshëm, e kërkuan nga qytetarët që pos me Pfizer të zgjedhin edhe vaksinën AstraZeneca.

Në anën tjetër opozita ka drejtuar gishtin kah qeveria, duke pretenduar që “vaksina s’ka”.

Ndërkaq, Vitia theksoi se terminët caktohen në bazë të numrit të vaksinave që kanë nëpër shtoqe.

Aktualisht në Kosovë janë duke u zbatuar masa kundër COVID-19, duke përfshirë edhe orën policore.

Pandemia në Kosovë shpërtheu më 13 mars të vitit të kaluar.

Deri tash 143 mijë 603 infektime janë raportuar, prej tyre 2 mijë 477 të vdekur. /Insajderi.com