Kurti thotë se në Shtëpinë e Bardhë mund të nënshkruhet marrëveshje e dëmshme

Kurti thotë se në Shtëpinë e Bardhë mund të nënshkruhet marrëveshje e dëmshme

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar ta mbrojë qëndrimin e tij në lidhje takimin e paralajmëruar në Uashington, më 2 shtator, ku do të takohen përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se lidhja e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e pathyeshme, por sipas tij nuk mund të arrihet një marrëveshje “e keqe”, për hir të fushatave politike – duke iu referuar fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump.

Kurti në Twitter ka shkruar se mungon besueshmëria në këtë proces për shkak të deklaratës ish-këshilltarit të Trump-it për siguri kombëtare, John Bolton, rreth shkëmbimit territorial”.

“Fillimisht, mungon besueshmëria dhe transparenca. Ideja e ‘shkëmbimit territorial’ është mohuar vazhdimisht, por është dëshmuar se ekziston nga Këshilltari për Siguri Kombëtare, ambasadori John Bolton, i cili ka thënë se ideja ka ardhur nga dy presidentët (Thaçi & Vuçiq). Kjo ka dëmtuar besimin në këtë proces”, ka shkruar ai.

Arsyeja e dytë, sipas liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, janë çështjet e mbyllura që nuk kanë nevojë të rihapen.

“Së dyti, mungojnë njohuritë rreth çështjes. Kosova është vend i pavarur dhe sovran, i cili as nuk është në konflikt që të ketë nevojë për marrëveshje për paqe, dhe as nuk ka status të pazgjidhur, që kërkon negociata. Këto janë pohime të pavërteta”, ka shkruar ai.

Sipas Kurti nuk do të diskutohet për esencën e marrëveshjes por për nënshkrimin final të saj.

“Së treti, koha dhe dedikimi. Një marrëveshje për normalizim me Serbinë kërkon zgjidhjen e të gjitha çështjeve, rrjedhimisht një proces të gjatë. Me zgjedhjet presidenciale në nëntor, është e qartë se rëndësia nuk qëndron te përmbajtja e marrëveshjes, por te nënshkrimi në fund të saj”, ka vazhduar Kurti.

“Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet ndërshtetërore, por se kjo duhet të ndodhë nëpërmjet një dialogu të përgatitur mirë. Lidhja dhe besnikëria e Kosovës me Shtetet e Bashkuara mbetet e pathyeshme, por shtytja drejt marrëveshjeve të këqija për hir të një fushate politike është e gabuar”, ka shkruar ai në Twitter.

Para disa dite, Albin Kurti, ka pasur një deklaratë kundër takimit të 2 shtatorit, ku ka thënë se marrëveshjet e atij takimi do të jenë të pazbatueshme dhe vlejnë më pak sesa çmimi i letrës ku shkruhen. /Insajderi.com/