Kurti u vaksinua i pari kundër COVID-19, Tahiri: Arrogancë, por kurrsesi simbolikë

Kurti u vaksinua i pari kundër COVID-19, Tahiri: Arrogancë, por kurrsesi simbolikë

“Ceremonia e vaksinimit kundër COVID-19 e një kryeministri, ende pa u vaksinuar stafi mjekësor e ende pa siguruar vaksinat për qytetarët e Kosovës, është arrogancë por kurrsesi simbolikë”.

Kështu e ka vlerësuar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, veprimin e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili të hënën u vaksinua i pari kundër Coronavirusit.

Sipas tij, vaksinimi i një kryeministri si akt simbolik, do të ishte i tillë vetëm kur ai kryeministër ta kishte zgjedhur me kohë problemin me furnizimin me vaksina.

“Vetëm kur të ishte siguruar se asnjë qytetar nuk do të mbesë mbrapa, sepse depot janë plot e në pritje. Në rrethanat tona, kur vaksinat nuk janë siguruar ende, i pari që do të duhej të vaksinohej sot do të ishte dashur të jetë drejtuesi i Qendrës së Klinikës Infektive, ai i cili është për çdo ditë në front të parë me virusin e në ndihmë të qytetarëve”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Të dielën e 28 marsit, 24 mijë doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanë arritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

I pari që e ka marrë këtë vaksinë është kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, i cili gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar se 60 për qind e popullatës do të vaksinohet.

Njëjtë sikur Kurti, shumë liderë nëpër botë janë vaksinuar të parët, si një shembull që “vaksina është e sigurt”./Insajderi.com