Kurti zhvillon bisedë telefonike me Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës

Kurti zhvillon bisedë telefonike me Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës

Ragmi Mustafa, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ka njoftuar se ka zhvilluar një telefonat me Kryeministrin e Kosovës në lagrim, Albin Kurti.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa ka shkruar se Kurti është shprehur i gatshëm të ndihmoj Luginën.

“Sapo zhvillova një bisedë telefonike me kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti. Me këtë rast kryetari i Qeverisë në detyrë u interesua për modalitetet administrative dhe teknike për të ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës me rastin e pandemisë Covid-19”, ka shkruar Mustafa.

Tutje Mustafa ka shkruar se “Ndihma institucionale e Republikës së Kosovës dhe e Republikës së Shqipërisë është jo vetëm e nevojshme, por e domosdoshme, në drejtim të institucionalizimit të mbështetjes së vazhdueshme politike, administrative e buxhetore, të realizimit të të drejtave kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në përputhje me kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe në bashkërendim me Qeveritë e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë”. /Insajderi.com