Kusari-Lila: 17 ose 24 janari – datat e përshtatshme për zgjedhje

Kusari-Lila: 17 ose 24 janari – datat e përshtatshme për zgjedhje

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se 17 ose 24 janari mund të jenë datat të cilat mund të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, njofton Insajderi.

Kryetarja e Alternativës tutje thotë se subjekti që ajo udhëheqë edhe në këto zgjedhje që pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm do të vazhdojë të jetë pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje.

“Me Lëvizjen Vetëvendosje si Alternativë kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë dhe ky bashkëpunim është zgjeruar edhe në nivel lokal, nuk kemi bashkëpunuar vetëm në nivel qendror dhe me politikat e nivelit qendror. Ka pasur koordinim dhe lidhje shumë të mirë edhe të degëve tona dhe unë besoj që e kemi rrugën e hapur dhe dakordin e përgjithshëm që të vazhdojmë në bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje. Natyrisht që për ne është shumë e rëndësishme që si subjekt të jemi të njohur dhe të ketë një formalizim të bashkëpunimit se çka ka munguar në zgjedhjet e kaluara. Gjithsesi që përkundrejt pozicioneve politike e shohim tepër të rëndësishëm vazhdimin e bashkëpunimit dhe kontributin për një të ardhme dhe një qeverisje kredibile dhe të përgjegjshme për qytetarin”, tha ajo.

“Uroj që me konsensus të të gjitha partive zgjedhjet të përcaktohen sa më parë, çfarëdo shtyrje e procesit zgjedhor do të jetë ngarkesë edhe për qytetarët por edhe për proceset të cilat po presin dhe natyrisht që sa më parë që organizohen zgjedhjet e dimë se nuk e kemi fushatën klasike, nuk do ketë tubime, do jetë në masa mjaftë të kufizuara sipas rekomandimeve të IKSHP-së prandaj sa më parë të bëhet kjo datë aq më mirë. Duke i marrë parasysh festat e fundvitit dhe afatet e tjera mund të jenë ose me 17 janar nëse dakordohen ose më 24 janar, njëra prej të dielave e treta ose e katërta e muajit janar”, u shpreh tutje kryetarja e Alternativës. /Insajderi.com